“Trafikoi një vajzë në Belgjikë”, Apeli lë në burg Safet Bajrin

Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi dënimin me 8 vite e 9 muaj e 12 ditë burgim për Ilir allias Safet Rustemin të akuzuar për “Shfrytëzim prostitucioni”, “Grup i strukturuar kriminal” në Belgjikë. Rustemi që momentalisht ndodhet në burg ka mundur ti shpëtojë prangave të drejtësisë Belge, por jo përndjekjes së dënimit të tij nga ky shtet. Momentalisht ai ndodhet në burg, pasi është arrestuar si pjesë e grupit Bajri në Shkodër.

Sipas dosjes së mbëritur në Shqipëri nga drejtësia Belge, Bajri është gjetur fajtor për shfytëzimin si prostitutë të një vajze nga Shkodra me inicialet E.G. Kujtojmë që Bajri është krahu i djathtë i Behar Bajrit, njërit nga drejtuesit të grupit “Bajri” në Shkodër, Belgjikë, Hollandë. Ekstradimi i Safet Bajrit në Belgjikë ishte i pamundur, pasi dy vendet nuk kanë një marrëveshje. Por Shqipëria dhe Belgjika kanë nënshkruar një marrëveshje për njohjen e dënimeve.

Ndërkohë në Shqipëri, Bajri është i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që kryente trafik droge, vrasje dhe trukim ndeshjesh. Ai u arrestua në shtator të vitit 2018 gjatë një operacioni masiv policor të FNSH-së dhe RENEA-s që çoi në arrestimin e 11 të fortëve, anëtarë të bandës kriminale “Bajri” në Shkodër, në aksionin e koduar “Oaz”. Bajri është duke qëndruar në qelitë e burgut 313 në Tiranë, pasi hetimet ndaj tij po i bën Prokuroria për Krime të Rënda.

Në momentin e arrestimit, Safet Bajri ka qenë në një bilardo në zonën e Xhamllikut, dhe sapo kanë hyrë forcat RENEA, ai ka hedhur pistoltën e cila megjithatë është konstatuar nga efektivët e policisë. Grupi kriminal “Bajri” nga Dobraçi i Shkodrës akuzohet për vrasje me dashje, gjobëvënie, trafik droge dhe pastrim parash. Anëtarë të këtij grupi kriminal akuzohen edhe si autorë të disa prej ngjarjeve kriminale që kanë tronditur kryeqendrën e veriut.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU