Thaçi takon ambasadorët e BE, kërkon unitet ndërkombëtar për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të mërkurën se është befasuar për keq kur ka mësuar që për takimin e mbajtur në Berlin ditë më parë me liderët e Ballkanit Perëndimor, nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai i bëri këto komente në një takim me ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, në të cilin ka shprehur zhgënjimin e tij se si në takimin e Berlinit nuk ka pasur unitet në vendet e Bashkimit Evropian rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Si të arritur të këtij takimi, Thaçi ka përmendur dakordimin e Kosovës dhe Serbisë që, pas insistimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, të mbahet takimi i ardhshëm në Paris, më 1 korrik.

Përveç kësaj, ai ka thënë të ketë mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares (Angela) Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”, ka thënë ai.

Sa i përket kërkesës për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se ky proces duhet të finalizohet me një marrëveshje ligjërisht obliguese për të dyja shtetet.

Sa i përket taksës, që aktualisht përmendet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si bllokuese e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, Thaçi ka thënë se kjo masë duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi.

Autoritetet e Kosovës kanë vënë taksë 100 për qind, gjashtë muaj më parë në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Taksa vazhdon të mbetet në fuqi pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për pezullim të saj.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU