Nga Dan Hodges
Relativizmi moral punon nga të dy krahët. Dhe i shfytyron të dyja palët. Nuk ka dallim – praktike, morale apo politike – mes Dylann Roof dhe organizatorëve të sulmeve të 7 korrikut në Londër. Dhe ne duhet ta dënojmë atë – një person që vrau në emër të Jugut Amerikan – saktësisht në të njëjtën mënyrë që ne dënojmë ata që vrasin në emër të islamit. Dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë: të dënojmë, jo të justifikojmë, ose të racionalizojmë, ose të fshihemi pas mantelit të një ekuivoku moral
Duke e marrë të mirëqenë që nuk është një rast i izoluar, Dylann Roof është personi që u ngrit me qetësi pak javë më parë mes kongregacionit të kishës episkopale metodiste afrikane Emanuel dhe filloi të vriste të pranishmit. Nga kjo, ka disa gjëra që i dimë për të.
E dimë që ai ishte racist. Sipas autoriteteve, pak para se të fillonte të qëllonte, ai deklaroi se kishte “ardhur të vriste njerëz me ngjyrë”. E dimë gjithashtu që ai është terrorist. Ai zotëron një xhaketë sportive me flamurin e aparteidit në Afrikën e Jugut dhe sunduesve të bardhë në Rodezi, si dhe një tragë makine me flamurin e Konfederatës. Pas kësaj urrejtjeje racore ka qartësisht një ideologji politike më të gjerë. Dhe ne e dimë gjithashtu – dhe dyshoj se kjo do të jetë në kundërshtim me atë që do të na thuhet në ditët e ardhshme – ai nuk veproi i vetëm. Ai është pjesë e një rrejti terrorist të bardhë ndërkombëtar që përfshin, mes të tjerëve, Timothy McVeigh, Anders Breivik dhe David Copeland.
Viktimat e masakrës në Charleston vetëm sa janë identifikuar, por një luftë e relativizmit moral në lidhje me vdekjen e tyre ka nisur tashmë. Kjo filloi që me arrestimin e Roof-it, pasi u publikua një foto ku ai çohej në qeli i veshur me antiplumb dhe pa pranga. Njerëzit sollën si kontrast trajtimin nga policia të vrasësit të nëntë zezakëve me trajtimin që iu është bërë zezakëve të ndryshëm, të cilët kanë vdekur në dhomat e izolimit muajt e fundit.
Kjo është një ankesë e kuptueshme, por sipërfaqësore. Policët janë të vetëdijshëm se ata kanë në duar një nga vrasësit me profilin më të lartë në historinë e SHBA. Ata do të zbatojnë ligjin deri më një, e madje do të shkojnë përtej tij.
Një pikë tjetër krahasimi është kontrasti mes mënyrës që Roof është portretizuar nga media, dhe mënyrës se si janë trajtuar autorë krimesh të ngjashme, por me etni tjetër. Sidomos, nëse autori i krimit do të kishte qenë mysliman.
Këtu s’ka kundërshtim. Roof po portretizohet si prototipi i “vetmitarit të krisur”. Një person që kishte braktisur shkollën. Një përjashtim patologjik. Me fjalë të tjera, një devijim. Por sikur besimtarët në kishë të kishin qenë të bardhë, dhe dhunuesi të quhej Husaain ose Khan, atëherë do të ishte shfaqur një pamje krejt tjetër. Që ky ishte një akt terrorizmi, kjo nuk do të diskutohej. Akti do të konsiderohej si produkt i një konspiracioni fundamentalist global, pavarësisht historisë personale të vrasësit.
E gjithë kjo është e pamohueshme. Vrasësi i bardhë është një i çmendur, vrasësi me ngjyrë kafe është terrorist.
Por, para se të krekosemi me liberalizmin tonë dhe të vëmë në dukje standardin e dyfishtë, le të përmbysim argumentin. Sepse, nëse do të kundërshtojmë relativizmin moral, këtë duhet ta bëjmë me vijueshmëri.
Kështu, në ditët e ardhshme gjasat janë që të shikojmë artikuj që të na bëjnë thirrje, jo vetëm ta dënojmë veprimin e Dylann Roof, por dhe t’i kuptojmë ato. Sigurisht, ata do të jenë të përgatitur me mjeshtëri, do shpjegojnë se si “askush nuk mund të anashkalojë” vrasjen në kishën metodiste afrikane. Por ata do të vazhdojnë të shpjegojnë se, nëse duam të sigurohemi që këto sulme të mos përsëriten, nuk duhet të fshehim kokën në rërë. Duhet të kuptojmë motivet e të rinjve si Dylann Roof. Tek e fundit, ai nuk lindi monstër.
Do të shikojmë gjithashtu thirrje që veprimet e Roof t’i gjykojmë në kontekst kulturor. Si një i bardhë i jugut, Roof, mirë apo keq, e shikon komunitetin e tij sikur është i sulmuar. Të bardhët në jug tallen dhe stigmatizohen në mënyrë të vazhdueshme. Ata ndihen të margjinalizuar nga pjesa tjetër e shoqërisë amerikane. Simbolet e besimit të tyre jugor – si flamuri i tyre që ka thuajse simbolizëm fetar – bëhet objekt talljeje vazhdimisht. Botohen karikatura të tij.
Do të ketë deklarata që tregojnë se është e vështirë të ndash veprimet e Roof nga situata gjeopolitike e gjerë. Në Siri dhe Irak, për shembull, masakrohen nga ISIS njerëz të bardhë të të gjitha besimeve dhe origjinave. Roof do të ketë parë imazhe të pengjeve të bardhë e të pafajshëm që janë masakruar. Dhe padyshim kjo do të ketë ndikuar në radikalizmin e tij.
Mësohet që Roof ka pasur disa incidente me policinë. Policia e kishte ndaluar dhe marrë në pyetje. Edhe kjo ka pasur ndikim të paevitueshëm në radikalizmin e tij.
Në këtë pikë të debatit, do të botohet një sondazh i të bardhëve të jugut. Zbulimet e tij do të kenë titullin “të bardhët e jugut dënojnë vrasjet në kishë”. Por, nëse rrëmoni më thellë në shifra, do të gjeni që 27 për qind e jugorëve të bardhë janë dakord me deklaratën “ka një farë simpatie për motivet pas vrasjeve në Charleston”; 2 për qind nuk pranuan t’i përgjigjeshin pyetjes dhe 8 për qind nuk ishin të sigurt për qëndrimin e tyre në lidhje me vrasjet.
E pastaj lobi i të drejtave civile do të fillojë të mobilizohet. “Është e rëndësishme të mos gjunjëzohemi nga këto ngjarje tragjike”, do të thonë. “Në ditët e ardhshme do të bëhen thirrje që autoritet të shtojnë survejimin e të dyshuarve si supremacistë të bardhë, të monitorojnë faqet e tyre në internet e dhe e-mail-et e tyre madje. Ky sulm mbi liritë tona bazike duhet të frenohet, ose përndryshe ne nuk do të jemi më të mirë se vetë supremacistët e bardhë.
Relativizmi moral punon nga të dy krahët. Dhe i shfytyron të dyja palët. Nuk ka dallim – praktike, morale apo politike – mes Dylann Roof dhe organizatorëve të sulmeve të 7 korrikut në Londër. Dhe ne duhet ta dënojmë atë – një person që vrau në emër të Jugut Amerikan – saktësisht në të njëjtën mënyrë që ne dënojmë ata që vrasin në emër të islamit. Dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë: të dënojmë, jo të justifikojmë, ose të racionalizojmë, ose të fshihemi pas mantelit të një ekuivoku moral.
Po, komuniteti i bardhë në jugun e Amerikës duhet të thirret t’i bashkohet këtij dënimi. Atyre u duhet kërkuar të shikojnë në zemrat e tyre, në librat e tyre të historisë dhe të pyesin veten se si është e mundur që më 2015 vriten besimtarët në kohën që ata përkulen të falen. Dylann Rooff është një terrorist. Një terrorist i bardhë. Dhe ka rëndësi që kjo të thuhet.