Tani bëhuni qytetarë të denjë edhe në vendin tuaj

Nga Mentor Kikia

Ishim të gjithë të një mendjeje. Lojtarët fituan një ndeshje, ndërsa tifozët i fituan të gjitha ndeshjet. Demonstruan qytetari në cdo rrugë e cdo qytet ku shkuan. Saqë bënë për vete edhe policinë franceze, të cilës nuk iu desh të përdorte shkopinjtë e gomës si me shumë tifozeri, por aparatet fotografike për të fiksuar demonstrimin atdhetar e civil të shqiptarëve nëpër rugë. Një mrekulli! Të gjithë u entuziazmuam nga kjo reklamë fantastike që iu bë vendit tonë, i etur për pak imazh pozitiv.
Tani një “porosi” kam unë:
Bëhuni qytetarë edhe në vendin tuaj, bashkëkombas shqiptarë! Nuk po flas thjeshtë për tifozeri, pra të mos shqyejmë stolat për tua hedhur lojtarëve në kokë, kur luan Skënderbeu me Flamurtarin, Tirana me Partizanin, apo Laci me Kukësin, por bëhuni qytetarë të përgjegjshëm, për ta demonstruar atë kulturë dhe edukatë edhe në rrugët e vendit tuaj.
Respektoni rregullin dhe shtetin, policin dhe semaforin, mbani radhë në kufi dhe e mos e zini edhe korsinë e kundërt, mos i bini borisë edhe kur semafori është mbyllur… Mos i hidhni mbeturinat nga makina, nga dritarja, nga shkallët…
Ne gjithmonë kemi treguar se dimë të qeverisim mirë vendet e tjera nën perandori e për perandorinë, por asnjehere vendin tonë. Dimë të sillemi mirë në vendet e tjera, por jo në vendin tonë. Dimë të jemi të qytetëruar e të përgjegjshëm, por jo në vendin tonë. Ndoshta është koha ta bëjmë këtë edhe në Shqipëri, meqë po shkundim botën duke thënë se sa shumë e duam këtë vend?
Deri atëherë, gjithësesi shkunduni e festoni.
Këto ditë nuk dihet se kur do të vijnë më.

Mentor Kikia's photo.
Mentor Kikia's photo.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU