Prokuroria bllokon për të dytën herë dërgimin para drejtësisë të autorëve të vërtetë të ngjarjes së 21 Janarit, ku u vranë 4 persona. Ashtu siç çështja u zvarrit për vite e vite me radhë, tani autoritetet shqiptare nuk pranojnë rolin e ndërkombëtarëve.
Pak javë më parë, në Strasburg kanë shkuar dy padi nga familjarët. Nga ana tjetër, në janar, Strasburgu përmes një shkrese i kërkonte qeverisë dhe familjarëve që t’u dërgojnë të gjitha provat për ngjarjen në fjalë. Por duket se po përsëritet i njëjti skenar që ndodhi me padinë e parë, të dorëzuar në pranverën e 2016, ku prokuroria nuk u jepte provat familjarëve.
Por edhe në kërkesën e dytë të Strasburgut, prokuroria ka refuzuar. ‘Sot’ u interesua pranë familjarëve të viktimave të 21 Janarit, se çfarë është duke ndodhur me padinë e dytë të dërguar në Strasburg dhe kërkesën e bërë për marrjen e provave.
Por sipas tyre, sërish pengesë është organi i akuzës, pasi nuk jep asnjë dosje apo dokument për ngjarjen në fjalë. Ndonëse është hera e dytë që kërkohet një gjë e tillë nga Gjykata e Strasburgut, prokuroria sërish ka refuzuar bashkëpunimin.
Gjykata e Strasburgut kërkon që ankimimi të plotësohet me të dhënat dhe dokumentet përkatëse që kanë mbledhur autoritetet shqiptare, por pavarësisht kërkesave të përsëritura, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Tiranës dhe Ministria e Brendshme ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës.
Nga familjarët mësohet se asnjë prej institucioneve nuk pranon të ketë të dhëna. Por dihet se është prokuroria ajo që ka dosjet hetimore dhe veprimet e saj bëjnë që të bllokohet për të dytën herë 21 Janari.
Duket se Kryeprokurori Adriatik Llalla vijon të zbatojë urdhrat politikë të Sali Berishës, i cili e vendosi atë në këtë post. Berisha bëri të gjitha lëvizjet për të mbyllur këtë çështje dhe tani po vijon si duket e njëjta lojë.
Shpresat te reforma në drejtësi
Teksa Gjykata e Lartë bllokoi përfundimisht hetimin e 21 Janarit, duket se tani edhe prokuroria nuk po lejon që të ndërhyjë Strasburgu. Por shpresat që kjo ngjarje të zbardhet janë vetëm te reforma në drejtësi. Aktualisht ka nisur zbatimi i vetingut dhe shihet se një pjesë e madhe e klasës politike është trembur.
Përgjegjësit e vërtetë të ngjarjes ku humbën jetën 21 persona, nuk flasin fare dhe shpresat janë që me reformën të rihapen hetimet. SHBA dhe BE kanë paralajmëruar se do të pastrojnë një herë e mirë drejtësinë shqiptare nga prokurorët dhe gjyqtarët e inkriminuar dhe të korruptuar.
Nëse ndodh kjo, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të zbardhen dhe ngjarjet e mëdha. Vetë deputetët socialistë, por dhe njerëz të drejtësisë kanë deklaruar se 21 Janari, Gërdeci, apo vjedhja e rrugës Durrës-Kukës mund të rihapen.
Nëse gjenden prova të reja për ngjarjet në fjalë, atëherë përgjegjësit do përballen me drejtësinë. Por fakti se bllokohen provat dhe gjykata nuk jep asnjë lloj shkrese për familjarët dhe qeverinë, atëherë lindin dyshime se çdo gjë mund të jetë pastruar.
Familjarët në përvjetorin e 21 Janarit deklaruan se provat janë zhdukur dhe pas kaq shumë vitesh nuk dihet më se çfarë ka mbetur. Por gjithsesi pritet që me reformën në drejtësi, ngjarjet e mëdha të rihapen.
ma.me