Masakra e Srebrenicës e para 20 viteve përkujtohet edhe në Kosovë, ku po ashtu bënë masakra, spastrim etnik e gjenocid forcat serbe të Slobodan Milosheviçit, i cili pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, të para mëse 16 viteve, në zhvillimet e mëtejme në rajon ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
“Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, ka raportuar korrespondenti i ATSH-së para 17 vitesh, në korrik të vitit 1998.
Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se do udhëtonte për në komemoracionet në Srebrenicë, por nuk është lejuar. “Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska”, shprehet ai.
Kosova dhe populli i saj, vijon Thaçi, me zemër e me mendje jenë me familjet që sot më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllëzërit, bijt e humbur në këtë tmerr.
“Kështu sot shënojmë 20 vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë”, thekson ai.
“Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin”, është mesazhi i kryediplomatit kosovar Thaçi.
Në 9 korrik 2015, në seancën e Kuvendit të Kosovës kryetari Kadri Veseli, që në hapje, përkujtoi se, “20 vite më parë në verën përvluese të vitit 1995 në qytetin Srebrenica të Bosnjës u bë krimi më i madh në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.
Ai tha se në masakrën e Srebrenicës, të gjenocidit e spastrimit etnik, që tronditi botën, mbi 800 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve serbë të Milosheviçit dhe se e njëjta barbari e forcave serbe u shfaq pastaj në fshatrat e qytetet e Kosovës.
“20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë e vende tjera të Kosovës drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin vetëm kobe të reja”, u shpreh kryeparlamentari kosovar, Veseli.
“Duke iu bashkuar përkujtimit global që po i bëhet Masakrës së Srebrenicës në 20 vjetorin e saj, në nderim të viktimave ju ftoj për një minutë heshtje”, përmbylli fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, në fillimin e seancës plenare.
Deputeti i partisë boshnjake të Kosovës VAKAT, Qerim Bajrami nga Grupi parlamentar Gjashtë Plus, i komuniteteve pakicë, po ashtu përkujtoi masakrën e Srebrenicës, duke u shprehur se ishte dita më e zezë në historinë e popullit boshnjak në Ballkan. “Nuk ka pajtim në Ballkan pa gjykimin e drejtë të krimit”, theksoi ai, ndërsa njoftoi se në qytetin e Prizrenit për 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës është organizuar një marsh nga dy organizata joqeveritare të boshnjakëve përkrahur edhe nga komuna e qytetit më të madh jugor të Kosovës.
Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Para 17 viteve, në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.
Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.
Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.
Në raportimet për situatën në Rahovec para 17 viteve, në 23 korrik ATSH nga korrepondenti në Kosovë, në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur ëe dy varreza masive” bënte të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para
ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojneë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën.”
Ndërsa, në 24 korrik, po para 17 viteve, korrespondenti i ATSH raportonte që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”. “’Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.
‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndeëkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”, raportonte në korrik 1998 korrepondenti atëherë dhe i tashëm i ATSH në Kosovë.
Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.
“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë për ATSH eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.
Sipas të dhënave të asociacioneve familjare të të zhdukurve të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para njëmbëdhjetë viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi. /ATA/