Cambridge Analytica, kompania e konsulencës politike që ndodhet në qendër të skandalit të ndarjes së të dhënave të Facebook, po mbyllet.
Kompania është akuzuar se ka siguruar në një mënyrë të papërshtatshme informacione personale për llogari të klientëve politikë. Sipas Facebook, të dhënat e rreth 87 milionë përdoruesve të tij janë mbledhur përmes një aplikacioni dhe më pas i janë kaluar firmës së konsulencës politike.
Rrjeti social tha se hetimi i tij personal, mbi këtë çështje, do të vazhdojë. “Kjo nuk ndryshon angazhimin dhe vendosmërinë tonë për të kuptuar ekzaktësisht se çfarë ka ndodhur dhe për të garantuar që kjo të mos përsëritet më”, tha një zëdhënës. “Ne po vazhdojmë me hetimin tonë, në bashkëpunim me autoritetet”, shtoi ai.
Kompania Cambridge Snalytica është akuzuar se ka përdorur të dhënat personale të miliona përdoruesve të facebook-ut për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 2016 në shtetet e bashkuara të Amerikës dhe në referendumin për daljen e Britanisë së madhe nga Bashkimi Evropian.
Në mars, Channel 4, transmetoi imazhe ku shihej drejtuesi i Cambridge Analytica, Alexander Nix, që jepte shembuj se si kompania mund të ndikonte në zgjedhje në botë me taktika të fshehta. Kompania me bazë në Britaninë e Madhe, që mohon të ketë kryer ndonjë gabim, ka një rekord të gjerë bashkëpunimesh jashtë vendit, dhe është përfshirë në shumë fushata zgjedhore mes të cilave në Itali, Kenia dhe Nigeri.
“Gjatë muajve të shkuar, Cambridge Analytica ka qenë subjekt i shumë akuzave të pabaza dhe pavarësisht përpjekjeve të saj për të përmirësuar situatën, ajo është dëmtuar për aktivitete që janë jo vetëm ligjore por edhe që pranohen gjerësisht si një përbërës standard i reklamimit online si në fushën politike ashtu edhe në atë tregtare”, thuhej në një deklaratë të kompanisë.
Pavarësisht besimit se punonjësit tanë kanë vepruar me etikë dhe brenda ligjit, mbulimi i medias ka mbajtur larg të gjithë klientët dhe furnizuesit e kompanisë. Si rezultat, kemi vendosur që të mbyllim biznesin”.
a.ç