Situata politike, Mustafaj: Meta të marrë qëndrim të qartë!

Shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj ka kërkuar sot që LSI dhe kreu i saj Ilir Meta të marrin një qëndrim të qartë në funksion të zgjidhjes së krizës politike në vend.

Nga studio e rubrikës “Opinion” në News24, Mustafaj tha se nuk ka më kohë për të humbur dhe Meta si promotor i qeverisë së besimit duhet të ndërmarrë veprime konkrete.

“Ka instrumente ligjore dhe institucionale që të provojë ose rënien e qeverisë ose deklarimin që kjo qeveri nuk do të bjerë dhe se kjo zgjidhje që kërkon PD është e parealizueshme. Do ishte më produktive që Meta të merrte një qëndrim të qartë. Nuk kemi më kohë. Jemi në një ndërhyrje publike të Metës në mënyrë të përsëritur për t’i treguar shqiptarëve se unë jam i qetë, siç thoshte Miterani”, tha Mustafaj.

Mendoni se duhen veprime konkrete?

Mendoj se duhen veprime konkrete. Të gjithë pyesin çfarë do ndodh. Askush nuk ka horizont të qaertë. Ndaj Meta duhet të mbajë qëndrim të qartë.

Çfarë fiton Meta duke qenë lojtar në këtë lojë?

Nga pikëpamja e opinionit publik të lodhur shfaqet i qeti, i miri. Përcjell mesazhin: “Ju që nuk doni konfliktualitet ejani dhe më votoni mua”. Kjo është ajo që fiton. Ideja e qeverisë së besimit është ide e mirë, por duhet të ecë më tej, çfarë do prodhojë kjo, si promotor duhet ta çojë deri në fund.

A e sheh zotin Basha, zoti Meta si lojtar në këtë histori?

Basha ka qenë më i qartë. Ka thënë për Metën që është i mirëseradhur në çadër dhe e bëri të qartë se ne nuk luftojmë për disa poste.Sipas Bashës një qeveri teknike do zhdukte frikën nga ato 2 mld eurot e hashashit që janë në qarkullim sipas edhe ambasadorit të OSBE-së.

Kjo qeveri teknike që kërkon zoti Basha çfarë do të thotë, a është konfuze opozita në kërkesën e saj?

Nuk është konfuze sepse qeveria teknike nuk është pushtet real është administrimit i punëve korente deri në qeverinë e re. Do të thotë se kjo qeveri nuk bën dot koncesione, politikë të madhe dhe merr përsipër një detyrë që është pastrimi i procesit zgjedhor nga ndërhyrjet e parave të pista të krimit, që janë për t’u pasur frikë.

Pozicioni i ndërkombëtarëve çfarë impakti ka në situatën tonë?

Me një mungesë profesionalizmi, kanë lënë përshtypjen e një anësie, dhe duhet të reflektojnë të ndryshojnë sjellje. Imazhi i ambasadës është imazhi i vendit. Ne kemi disa kritika në rritje nga Basha në lidhje me disa ambasadorë. Ambasadorët duhet të reflektojnë për të ndryshuar imazhin e tyre, se në këto kohë moderne je ai që perceptohesh.

A po e bëjnë punën e tyre mirë?

Nuk dua të bëj bilancin,por marrëdhëniet diplomatike nuk po i bëjnë mirë.

Roli i Presidentit, a mund ta organizojë ai një tryezë? Edhe pse asnjë aktor nuk është i gatshëm..

Në kushtetutë një detyrë të tillë Presidenti nuk e ka, por kur është i besueshëm nga të dyja palët. Por nëse është vetëm 50% mundësia e dështimit, Presidenti nuk duhet të hyjë në manovra politike që sjellin vetë dështimin e tij. Besoj se Presidenti është i shqetësuar, ka pasur hezitime, arriti një pikë që u impresionua nga një thirrje e përfaqësuesve. Por kryetarët e partive janë të pamëshirshëm me Presidentin.

Nga pikëpamja teknike, jemi në rregull. Kjo mazhorancë ka numrat e nevojshëm për të zgjedhur edhe me 2/3 Presidentin. Me një traditë të asaj kur Nishani u zgjodh vetëm me votat e maxhorancës bëri që edhe sot të zgjidhet po ashtu.  Edi Rama po përpiqet të mbledhë të gjitha pushtetet. Kujtojmë Avokatin e Popullit. Ai do me kontroll të rreptë të gjitha institucione.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU