Et’hem Ruka, ministër i arsimit në qeverinë e Fatos Nanos, postoi në korrik të këtij viti, një prej pikturave që mbante në koleksionin e tij prej Edi Ramës. Në Facebook, bashkë me pikturën ai shkroi: “Ky është vetëm një nga krijimet e Edi Ramës si pjesë e koleksionit tim të grumbulluar më shumë se 15 vite më parë. Se si ka ndodhur kjo, e ka shpjeguar vetë Rama në një nga intervistat e tij të fundit. “Po ju tregoj një sekret të vogël që tregon se si filloi mbledhja e tyre. S’e kam treguar ndonjëherë, por për të filluar koleksionin është bërë sebep Et’hem Ruka!
Po, miku im Et’hemi, ministër i atëhershëm i Arsimit, që e kisha ngjitur në qeveri dhe që në fund të mbledhjes së përjavshme më merrte vizatimet e ditës. Një ditë i shkova në zyrë në Ministrinë e Arsimit, nuk mbaj mend për çfarë, dhe pasi mbaruam bisedën, më thotë me buzëqeshjen e dikujt që po të bën një surprizë: ‘Tani dua të të tregoj një koleksion të rrallë!’, dhe nxjerr një dosje ku kishte ormisur për merak të gjitha vizatimet e mia. Deri atëherë më ndodhte shpesh t’i bëja shuk e t’i hidhja në kosh kur ikja nga zyra. Ishin të gjitha me stilolaps të zi apo blu, si të qëllonte, ndonjëherë me stilolaps të kuq. Për herë të parë i pashë si vepra arti. Dhe kur kthehem në zyrë, i mërzitur që Et’hemi më kishte ‘grabitur’ sy për sy gjithë ato vepra, i them asistentes: ‘M’i ruaj ato që shkarravis gjatë ditës!’ ‘Kam ruajtur disa për qejfin tim’, më thotë. ‘Urgjent në dosje – i them. – Et’hemit s’kam ç’i bëj, po të tuat do t’i marr mbrapsht’”, tregoi Edi Rama.
Gazeta Shqiptare/d.i.