Shkarkimi i Presidentit, Kumbaro: Nuk ka tërheqje, do zbatohet procedura

Deputetja e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro, deklaroi sot se  në seancën e së enjtes në Kuvend nuk do të shkarkohet Presidenti i Republikës, por do të prezantohet një draftrezolutë për të cilën do të bëhet debat intensiv.

Në një studio televizive Kumbaro theksoi se shkarkimi i Presidentit nuk ndodh në një ditë, por janë procedura të parashikuara nga rregulloret e Kuvendit dhe Kushtetuta.

“Nesër nuk ndodh shkarkimi i askujt, nesër propozohet një draftrezolutë, e cila në fakt përmban tema dhe pika të rëndësishme që do të ngjallin edhe për çka do të bëhet debati. Do të jetë një debat intensiv dhe pastaj gjithë proceset e tjera do të ndjekin logjikën e tyre. Ajo që është e rëndësishme nesër është që në foltoren e Kuvendit të diskutohet gjerë e gjatë dhe përballë publikut të gjitha kontestimet që PS ka lidhur me veprimet e fundit të Presidentit”, – tha Kumbaro.

Lidhur me mbledhjen e firmave për kërkesën për shkarkimin e Presidentit, Kumbaro tha se nuk ka tërheqje nga kjo procedurë, ka një proces. Edhe sikur të ishim në një situatë hipotetike, apo edhe letrare po të doni, shkarkimi i postit të Presidentit nuk ndodh në një ditë. Janë procedura të parashikuara nga rregulloret e Kuvendit dhe Kushtetuta dhe do të ndiqen ato hapa. Ajo që do të ndodhë nesër është debati parlamentar që do të ketë si bosht kryesor gjithë platformën e parashikuar nga draftrezoluta”.

Kumbaro u shpreh se “më shqetëson fakti që opozita nuk merr pjesë, por nuk është një gjë që e ka bërë mazhoranca. Ajo që më shqetëson është që kemi përballë një opozitë që është në pikë të hallit, e unë nuk jam e lumtur që në vendin tim të kem një opozitë në pikë të hallit. Opozita bën një atentat të hapur ndaj demokracisë dhe pas tij vjen një atentat i institucionit të Presidencës”.

/a.r

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU