Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka thënë se Beogradi do t’i përgjigjet në mënyrë adekuate vendimit të Prishtinës që në Kuvendin e Kosovës të debatohet për kombinatin “Trepça”.
Ai ka shtuar se Prishtina me këmbëngulje po përpiqet të legalizojë, siç ka thënë, grabitjen e pasurisë serbe. “Nëse Prishtina vazhdon me përpjekjet për të plaçkitur pasurinë serbe, atëherë do të kemi situatë të komplikuar, e cila, ndoshta, dialogun e mëtejmë për normalizim do ta bëjë të pakuptimtë”, citon Tanjug të ketë thënë Drecun.
Drecun ka thënë se problemi i “Trepçës” mund të zgjidhet vetëm në marrëveshje me Serbinë, sepse, sipas tij, Serbia është pronare legjitime e atij kompleksi minerar, ndërsa ka shtuar se shumica e pasurive minerare të këtij kompleksi gjendet në Serbi, transmeton koha.net.
“Se sa me papërgjegjësi Prishtina e udhëheq e pjesën e “Trepçës” në jug të Ibrit, tregon kërdia që mund të vërehet në kuadër të këtij kombinati”, ka thënë Drecun, duke shtuar se ajo po eviton bisedimet për pronën me Beogradin, përgatiti Koha. (b.an)