Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka rrëzuar me shumicë votash dekretin e Presidentit Meta mbi rishikimin e ligjit mbi Akademinë e Shkencave.
Pasi u hodh në votim, dekreti i Metës për ligjin mbi Akademinë e Shkencave është rrëzuar me 12 vota kundër dhe vetëm 1 votë pro dekretit.
Ashtu si në komisionet për të rrëzuar dekretet e tjera të Metës, edhe në këtë Komision ka patur debate mes anëtarëve të komisonit dhe përfaqësuesve të Presidencës.
Meta kthimin e ligjit mbi Akademinë e Shkencave e bëri me 9 gusht duke dhënë 4 arsye kryesore sipas tij. Arsyeja e parë sipas Presidencës ishte se ligji bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cenon kompetencat e Presidentit të Republikës dhe nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.
“Akademia e Shkencave nuk mundet dhe, në fakt, nuk do duhej të trajtonte e vetme problematikat delikate të përshtatjes, unifikimit, ndryshimit të simbolit kryesor të identitetit të kombit tonë, me ndryshimet e vrullshme që jeta ka sjellë që nga kongresi i fundit gjuhësor i mbajtur në vitin 1972”, thuhej në dekret.
Ligji i miratuar në Kuvend detyron Presidentin që brenda 10 ditëve të kryejë emërimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave që i është propozuar. Për Metën kjo është antikushtetuese, pasi Kushtetuta nuk ka vendosur një afat të përcaktuar, brenda të cilit Presidenti i Republikës duhet të shprehet.
Pak javë më parë, në datë 12 korrik Meta refuzoi dekretimin e Skënder Gjinushit në postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, ndërsa në 19 korrik Akademia deklaroi se do i ripropozojë kreut të shtetit dekretimin. Por Meta thotë se nuk mundet që një organ i Akademisë së Shkencave të shqyrtojë dhe të shprehet me vendim për Dekretet e Presidentit të Republikës. “Afatet dhe mekanizmat zhbllokues të proceseve në raste të caktuara, duhet të vendosen në Kushtetutë. /l.m