Che Guevara i “rizbuluar”…pas dhjetë vjetësh

Që shtypi shqiptar është plot lajme të ribotuara, histori të shkruara e rishkruara, kjo s’ka asnjë pikë dyshimi. Një e tillë, që po qarkullon sot nëpër media, është vizita e Che Guevaras në Tiranë.  E botuar qysh ne dekadën e shkuar në shtypin shqiptar, ajo serviret sot ende si një ekskluzivitet. Ja një shkrim i Ben Andonit për revistën Mapo, i vitit 2009, që e dëshmon më së miri këtë fenomen.

 

Unë prita Che Guevarën në Tiranë

Zeqi Agolli është diplomati shqiptar, që një ditë marsi të vitit 1960 priti Che Guevarën në Tiranë. Gjithçka është mbajtur mister, aq sa edhe sot ish-zyrtarët më të lartë të kupolës komuniste, nuk dinë asgjë. Pak vite më parë, në librin kushtuar CHE-së nga Jovan Jano, u tregua e përmbledhur historia e ardhjes, por asnjëherë nuk u tregua emri i diplomatit dhe elementët e veçantë , që kishte sjellë takimin dhe misteret e tij. Për herë të parë, ai rrëfen historinë në vetën e parë. Por, sërish ruan dhe fsheh gjëra…Nga Ben AndoniAskush nuk do ta mësojë ndonjëherë përshtypjen e vetë Ernesto “Che” Guevarës për Shqipërinë. Nga kujtimet e shumta, që janë shkruar për të dhe nga ato që ka lënë vetë autori, nuk mund të mësosh ndonjë gjë. Ca më shumë nga shqiptarët, që atë të ditë marsi të vitit 1960, e kishin ftuar si mikun e tyre të veçantë në Tiranë…Sot, pak njerëzit e takimit, kanë vdekur në rrjedha jo normale. I vetmi, i mbetur gjallë, diplomati shqiptar Zeqi Agolli, flet për herë të parë në vetën e parë…

Che zbriti shumë ngadalë nga avioni, që e kishte sjellë në vendin e vogël. Shqipërinë, deri më atëherë, e kishte parë vetëm në hartë. Kishte pak të ngjarë, që t’i kujtonte ndonjë gjë. I lodhur dhe i tulatur nga rruga e gjatë, por më shumë nga e panjohura- u mundua të fitonte sa më shumë terren nga këqyrja. Aeroporti i boshatisur i Tiranës nuk i thoshte asgjë. Vitet e gueriles e kishin mësuar të ishte gati për çdo të papritur. Rinasi, si i thanë pak më vonë se quhej aeroporti, gjithashtu nuk i tregonte asgjë. Teksa, zbriste shkallët e avionit dy bashkëluftëtarë të tij, i qëndronin pranë. Përballë, poshtë shkallëve, njeriu i parë që e priste, ishte një burrë i gjatë, gati një kokë mbi të. Pak pas shkallës së fundit, u përshëndetën. Shqiptari, i foli i pari frëngjisht dhe iu paraqit me postin e tij zyrtar. Nuk ishte askush tjetër me të. Pas pak i tregoi se fare afër i priste një makinë qeveritare. Zeqi Agolli, kishte një urdhër të qartë, që duhej ta çonte me sukses dhe pa e ditur askush takimin. “Direkt do të udhëtonim në kryeministri. Por, Che-së akoma nuk po i dilte ngurrimi. Njohës i mirë i terrenit hodhi një vështrim ngado dhe mundohej të fuste në fushëpamjen e tij, gjithçka. Che-ja kishte zbritur i lodhur në Tiranë”, kujton gati 50 vjet më vonë diplomati shqiptar. Nuk humbëm shumë kohë, thotë ai- në pistën e zbrazët të aeroportit. I duhej që veç ta qetësonte dhe t’i shprehte përshëndetjet e zakonshme të protokollit. Agolli kishte shërbyer gjatë në trupin diplomatik dhe në protokollin e shtetit, ndërsa mosha gati e afërt- e bënte, që t’i jepte besim mikut nga Kuba. Ishte ditë e bukur, ndërsa Dajti nga përballë mbizotëronte gjithçka. Diplomati shqiptar i bëri udhë Che-së, të ndjekur nga dy burrat me trup të njëjtë dhe të tre të veshur po aq njësoj, me veshjet e revolucionit: Beretat klasike, me këmishët e gjelbëra ushtarake me dy xhepa të mëdhenj, identifikimi i zakonshëm i tyre. Z. Agolli nuk jep të dhëna për avionin, që i ka sjellë por një gjë mund të hamendësohet: Ka të ngjarë që të ketë ardhur me ndonjë nga avionët qeveritarë, që ishin kryesisht të akorduar për udhëheqjen e asaj kohe. Ishin të vetmit, që mund të udhëtonin pa praninë e pasagjerëve të tjerë të pakët, që fluturonin rrallë në Tiranë. Shqipëria, atë vit, kishte filluar të ndjente në ajër erën e izolimit. Por, në të njëjtin vit dhe gati në këtë stinë, Che, udhëton drejt Kinës dhe nuk është çudi që të ketë ardhur me një nga avionët kinezë. “Vizita e tij bëhej e fshehtë, sepse kështu ishte kërkesa e tij, por edhe rrethanat politike të asaj kohe e bënin edhe më të fshehtë këtë vizitë. Ishte koha kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin ç’ekuilibruar. Aq sa dija ose më saktë aq sa mund të dija në atë kohë kuptoja se Che Guevara ishte me të vërtetë një revolucionar por si të thuash një revolucionar i një tipi të veçantë”, thotë Z.Agolli.
Che-ja në Tiranë
Por duket se Guevara ende s’është i qartë për lartësinë e dogmës së shqiptarëve ose duhet të jetë i lodhur. “Këtu në Shqipëri ndjehuni si në shtëpinë tuaj-ndërhyra unë kur vura re se Che Guevara tregohej gjysmë i hutuar”, kujton burri. Gjatë rrugës flasin pak dhe gjëra të përgjithshme, elementë për të cilët bashkëbiseduesi shqiptar është komod. Z. Zeqi Agolli, në atë kohë, kujton për MAPO-se prej katër muajsh kishte marrë, pas kthimit nga Moska, postin e Drejtorit në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Jashtme me gradën Ministër Fuqiplotë. Rrugës, Che-ja mbeti më shumë në mendimet me veten. “S’ishte më shumë se 32 vjeç. Me fytyrën e tij mbushur me qime mundohej të të fuste në dritën e vështrimit të tij sa më shumë hapësirë nga natyra e Tiranës e sidomos nga masivi gjigant i malit të Dajtit që si monument kolosal i natyrës i mahnit të huajt”, do të shkruajë më vonë, Z.Agolli, por tash duke rrëfyer në vetën e parë. Një përpjekje e vazhdueshme për ndriçimin e Che-së në Shqipëri e bëri, kohë më parë publicistin Jovan Jano, që të grumbullonte prej tij pak gjëra, por vetëm kaq. Detyra që i kanë dhënë atë vitin e harruar 1960, për të mbetet detyrë. Sërish nuk do të flasë. 86 vjeçari simpatik flet me vështirësi, por qartë…Che pyeste pak dhe pohonte. Kur e pyesnin sqaronte, por pa teprime. Revolucioni, kryesisht. Si kishin mundur t’ia dilnin me Batistën etj. Si do t’ia bënin me ekonominë dhe revolucionin? Kapitalizmi? E ardhmja dhe Rusët.
Pra ky ishte Che, mendoi me vete dhe që e kishte hasur shumë nëpër lajmet e huaja. Deri para pak muajsh diplomati shqiptar, një veteran i nderuar i luftës antifashiste- kishte qenë këshilltar në Ambasadën shqiptare në Bashkimin Sovjetik dhe e njihte mbase më mirë se ai situatën. Por, tash po dëgjonte për herë të parë për revolucionarin jo të zakonshëm, nga vetë goja e tij. Një vit më parë e gjithë media e botës e mbante mënd për atë aksion të jashtëzakonshëm në Santa Klara dhe drejtimin, që i kishte bërë forcave kubane…Pak ditë më parë, se të zbriste në Tiranë, kishte ndihmuar vetë të plagosurit e shumtë në një shpërthim katastrofal në portin e Havanës dhe në funeralin shtetëror të tyre, në një moment pikëllimi, Alberti Korda e kishte fiksuar në atë që do të quhej fotoja më e jashtëzakonshme e shekullit.Zeqi Agolli për të
Njësoj ishte dhe atë ditë. Mjekra karakteristike. Buzëqeshja e ndrojtur. Ndonjë shpërthim i momentit. “Ishte i heshtur dhe pyeste pak. Kisha dëgjuar për të, por ndërkohë kisha dhe detyra të përcaktuara”. Kurse media ndërkohë dhe axhanset që lexonte i vinin shumë epitete: Simpatik. Guximtar. I dashur. I kulturuar. Buzagaz. Orator. I adhuruar. Në fakt, rrallë mund të bashkoheshin në një njeri kaq shumë cilësi. Ky vargan i tërë epitetesh mbase nuk do mbaronte këtu nëse do mblidheshin përcaktimet e ndryshme. Mes tyre dhe të personazheve të mëdhenj të shekullit të XX, si Sartre dhe De Bovuare, që ai vetë në të ritë e tij i kishte pasur idhuj. “Kush të tha për emrin tim?”-më thotë befas dhe i vjen keq, që kodi i heshtjes është prishur nga të tjerë. I tregoj njësoj vagullt. Lëviz pak kokën. Ehh…Me Mehmet Shehun
Pak minuta më vonë, në rrugën gati të boshatisur makinat qeveritare të tipit rus e përcollën direkt e në kryeministri. Rojeve u ishte thënë, që do të vinte një mik i huaj dhe asgjë më shumë. Gjithsesi zulma e Che, deri më atëherë gati s’njihej fare në Shqipëri. “Me aq sa mund të nuhasja unë dhe me gjithçka që ngjau më vonë vizita ishte shumë konspirative. Ishte një vizitë që bëhej për mirësjellje dhe që nuk mund të refuzohej dot nga pala shqiptare. Ishte një takim për ti folur për përvojën shqiptare ndoshta dhe për të korrigjuar ndonjë ide rreth mënyrës sesi piqen e shpërthejnë natyrshëm revolucionet popullore….”Vetura u fut menjëherë pas kryeministrisë. Gjithçka ishte e stisur që miku që po vinte ishte thjesht një mik i huaj i vendit tonë. Edhe shtypi do ta linte në heshtje këtë takim. Madje s’do kishte as edhe një koment zyrtar. Aq konspirativ u mbajt ky takim sa edhe sot e kësaj dite edhe personalitet më me zë të Partisë së Punës nuk dinë asgjë!”, do të thotë ai krenar.
Mehmet Shehu e pret i qeshur që në derën e jashtme. Në takim mbeten vetëm katër vetë. Përqafohen, sikur të njihen prej kohësh. Gjuha, që do flasin, është afër mëndsh e kuptueshme: Spanjisht. Mehmet Shehu, që do të qe mikpritësi i tij kryesor, e respekton dhe mundohet që t’i hapë rrugë në bisedë, duke iu ruajtur dogmës. Në dhomë përballë kryeministrit shqiptar, ish komandant i vullnetarëve të një brigade në Luftën e Spanjës, qëndron Che-ja me një nga shokët e tij. Duket se vizita është kërkuar nga revolucionari kubanez, sipas Agollit, që në këtë rast shoqëron kryeministrin e tij. Zyrtarët shqiptarë të kujdesshëm dhe për imtësira, e kanë pritur. Mehmeti e dëgjon me kujdes. I bëjnë elozhe njëri-tjetrit, por për shumë gjëra s’janë dakord. Askush nuk mban shënime, nga shoqëruesit. Teksa flasim, Z. Agolli sot, hamendëson se nën tavolinë duhet të ketë pasur patjetër mikrofonë. Por, ku ta dish…”S’është punë për mua”, saktëson. Kubanezët janë të heshtur dhe dëgjojnë një eksperiencë, që është larg tyre.Biseda
Po japim një pjesë të bashkëbisedimit, që është riprodhuar falë dhe ndihmës së Jovan Janos:
Mehmeti: “Është kënaqësi për ne që ju kemi pranë sepse ju jeni një përfaqësues i madh i popullit kuban. Kontributi juaj për popullin dhe revolucionin kuban është shumë i madh. Me këto energji dhe këtë moshë të re, që keni përfaqësoni shembullin më të madh për gjithë ata revolucionarë, kudo në botë, që jetën ia kanë kushtuar fatit të popujve të shtypur e të mjeruar…”. I bën ekspozenë e luftës, sipas mendimit të tij- rolin e PKSH-së, Frontin antifashist dhe rolin e Partisë, si përcaktues…më poshtë i shpjegon se: Pa u bërë e ndërgjegjshme masa e popullit për domosdoshmërinë e ndryshimeve dhe pa qartësinë politike dhe vendosmërinë revolucionare të shtabit drejtues të revolucionit, unitetin dialektik të faktorit të jashtëm me atë të brendshëm, as që mund të mendohet një fitore e mundshme e popujve të shtypur. I vjen radha Che-së, Sipas kujtimeve të Zeqi Agollit, ai i thotë më pak fjalë: “Sesi u mposht Batista dhe fitoren e revolucionit. Shfaq pikëpamjet për ndezjen e revolucionit dhe hedhjen e popujve në flakët e luftës për liri dhe drejtësi shoqërore. Che Guevara i drejton vëmendjen më shumë rolit përcaktues të revolucionarëve të vendosur dhe profesionistë me ideale të mëdha, duke parë tek këta të fundit faktorin numër një të përmbysjeve revolucionare. Dhe shembull jepte Kubën”. Diplomati ka të fiksuar këtë frazë: “Nuk duhet të humbasim shumë kohë me partira politike, qofshin ato dhe revolucionare. Kudo ku ka diktatura fashiste, sidomos në Amerikën Latine duhet të krijohen vatrat e zjarrit, pra fokizmi. Dhe kjo të bëhet në zonat periferike dhe prej andej të nisin sulmet. Populli do të na kuptojë, do na mbështesë dhe do të bashkohet me ne. Kështu vepruam ne Kubë dhe fituam kundër diktatorit Batista”..Intermexo
Viti 1960 është nga vitet më të jashtëzakonshme të aktiviteteve të Che. Pas kthimit në Kubë në shtator 1959 Kastro kishte më shumë fuqi. Qeveria filloi të pushtonte tokat duke filluar reformën agrare, ndërkohë që lindin probleme me pronarët, në lidhje me ofertën e kompensimit. Jepen interesa të ulëta dhe kjo e bën SHBA-në të alarmohej. Gjatë kësaj kohe, diktatori dominikan Rafael Trujillo afroi asistencë dhe një trupë ndërkombëtare u stërvit atje kundër Kubës. Flitet se kanë qenë Kroatë, Gjermanë dhe mercenarë të djathtë, të gjithë gati që të hidhnin Kastron. Më 4 mars 1960 dy ekplozione të mëdha hodhën në erë anijen frënge La Coubre, që mbante municione nga porti i Antwerp, dhe kishte si destinacion të ankorohej në portin e Havanës. Shpërthimi vrau 76 njerëz dhe Che ishte nga të parët që ndihu vetë të plagosurit…Një ditë më vonë u bë funerali qeveritar, vendi ku Alberto Korda e fotografoi Guerrillero Heroico, për ta bërë që këtej e tutje simbol. Po në mars 1960 tregohet se ka takuar Sartrin dhe Simone De Bovuar, shkon në Tiranë, Moskë, Korenë e Veriut dhe në Kinë e pastaj në Indi. Qëllimet mbesin disi të errëta dhe janë të ngurosura në analet e kohës. Kjo kohë përkon me atë që regjimi i tij ekzekuton plot 100,000 njerëz dhe burgos rreth 350.000 të tjerë, në një popullsi, që atëherë është vetëm 6,3 milion njerëz. Pak muaj më vonë, ai do të jetë ministër i Industrisë.
Epilog
“Kishte shumë ndryshim në fushën e ngritjes së popujve në luftë. Por nuk i kundërvihen njëri-tjetrit”, kujton Z.Agolli. Larg tyre, të dy burrat, duket se e adhurojnë njëri-tjetrin, për shkak se të dy vinë nga lufta. Në fund, të takimit, kryeministri shqiptar i jep një dhuratë surprizë: Automatik…Çfarë modeli, e pyesim. Ngre supet. “Nuk kisha parë një të tillë kurrë më parë”, shprehet burri, një nga njerëzit e guerileve të Tiranës. Përqafohen sërish me dashuri dhe ndahen për të mos u takuar më. Në fate të ndryshme, por gjithsesi, të dyja njësoj fatkeqe. Varrosen. Zhvarrosen. Che-ja e kursen emocionin, por pak minuta më vonë, pak qindra metra nga kryeministria, në shtëpinë e pritjes, pronë e familjes Erëbara, Che-ja e vështron me adhurim pafund armën. Ulet. E puth. Pastaj shtrihet në tokë duke marr kudo shenjë me automatikun. “Bën dhe qesh..si fëmijë. I ngazëllen të gjithë. Është një fëmijë i lumtur, me mjekër”, kujton burri. Në orët në vazhdim. Che rri dhe një ditë të plotë, por nuk del asnjë moment nga vila, sipas tij. Njerëzve që i shërbejnë u flet me shumë kulturë. Shijon shumë gatimin shqiptar dhe nuk bën fare naze. “Edhe pse kanë kaluar shumë vjet nga ajo kohë pyes me vete: Si mundet një njeri të verë mbi supe detyra aq të mëdha dhe gati të papërballueshme”, rrëfehet gjysmë shekulli më vonë, njeriu i vetëm i mbetur gjallë i atij takimi mister.
Pas dy ditësh do largohet. Sërish me mister. Veshur me uniformën karakteristike të revolucionit kuban. Buzëqeshur. Këtu merr fund…dhe aventura e tij shqiptare. Ishte marsi i vitit ‘60.Kush është Zeqi Agolli
Në nga figurat më interesante të Luftës Antifashiste, por ndërkohë dhe një personazh i shquar i diplomacisë shqiptare. Në pak rreshta do ishte e pamundur që të flisje për këtë burrë modest, që ka shërbyer që nga shefi i Kabinetit të Enver Hoxhës dhe deri në ambasador në Kinë, Egjipt dhe disa herë funksionar i lartë në Ministrinë e Jashtme dhe në përfaqësitë tona diplomatike, shef protokolli i saj, e shumë e shumë poste të tjera të nderuara. Për 44 vjet me radhë, ai ka qenë jo vetëm simbol i diplomatit, por edhe një nga pak modelet e pastra të nëpunësit të devotshëm. Ndërkaq, s’duhet harruar se veprimtaria e tij s’ka pashuar dhe në pension, kur ai ka përfaqësuar me dinjitet veteranët e Luftës Antifashiste shqiptare, në vitet e fundit. I pajisur me një kulturë të gjerë, njohje gjuhësh të huaja dhe një fizik të admirueshëm, Zeqi Agolli, mbetet një simbol për diplomacinë e shumëpërfolur shqiptare të viteve të fundit.Skeda e Ernesto “Che” Guevarës
Datëlindja: 14 Qershor 1928
Vendlindja: Rosario, Argjentinë
Data e vdekjes: 9 tetor 1967
Vendi i vdekjes: La Higuera, BoliviKush ishte CheErnesto “Che” Guevara, i njohur zakonisht si Che Guevara, El Che apo thjesht Che, ka qenë një revolucionar marksist argjentinas, doktor, publicist, lider guerilje, teoricien ushtarak dhe figura e dytë më e madhe, pas Fidel Kastros e Revolucionit Kuban. Që prej vdekjes, pamja e tij e stilizuar është bërë si një përfytyrim tej kulturor dhe një simbol i vërtetë brenda kulturave të ndryshme popullore. Kur ishte student në mjekësi, ai udhëtoi përgjatë Amerikës Latine dhe u transformua në mendim, kur hasi varfërinë endemike, që e dëshmoi me sytë e vetë. Eksperienca e tij, shtuar me vëzhgimet e bëra në terren e bënë që të konkludonte se disniveli ekonomik i kontinentit ndodhte si rezultat kapitalizmit të brendshëm, neokolonializmit dhe imperializmit dhe gjëja e vetme që mbetej të bënte populli i kontinentit të tij ishte thjesht revolucioni.Shkoi në Guatemala, por atje politika e tij radikale nuk gjeti vend. Ndërsa në Meksikë do të takonte vëllezërit Kastro, që i ndryshuan rrjedhën e jetës dhe më pas- iu bashkua Lëvizjes së 26 korrikut, kur ata zbarkuan në Kubë me qëllimin që të hidhnin diktatorin, që gëzonte mbështetjen e plotë amerikane Fulgencio Batista. Guevara shpejt u ngrit në rolin kryesor mes më të kërkuarve të regjimit dhe ishte i dyti në hierarki nga kryengritësit. Edhe më vonë, ai do luante një nga rolet kryesore në luftën dy vjeçare guerile, që e hodhën Batistën nga pushteti. Ishte ministër i bujqësisë, në kohën kur edhe ndikoi për Reformën Agrare; shërbeu si guvernator i Bankës; drejtor instruktazhi për forcat kubane dhe bëri shumë udhëtime në botë, si diplomat honorifik i Kubës. Ai stërviti personalisht forcat që morën pjesë në Gjirin e Derrave dhe ishte ideator për të sjellë në Kubë raketat balistike sovjetike, të cilat përcollën pastaj krizën e vitit 1962. Gjatë jetës së tij, ai la shënime për udhëtimin e tij me motoçikletë; për taktikat e luftës guerile; publicistikën; dhe fare pak krijime. Ai e la Kubën përfundimisht më vitin 1965, në mënyrë që të ndikonte për përhapjen e lëvizjen guerile në Kongo dhe pastaj në Bolivi. U kap nga CIA me asistencë të forcave boliviane dhe ekzekutua. Vdekja e rriti tejet vlerësimin për Che Guevarën dhe pas kësaj- jeta e tij u bë subjekt i shumë biografive, kujtimeve, eseve, dokumentareve, këngëve dhe filmave. Imazhi më i jashtëzakonshëm është fotoja e Alberto Kordës e bërë më 1960 e titulluar Guerrillero Heroico, e cilësuar si”fotografia më e famshme në botë”. Në të gjallë kishte shumë interesa kulturore, filozofike dhe shkencore, veç përhapjes së revolucionit. Disa nga autorët e tij të preferuar ishin Horacio Quiroga, Ciro Alegría, Jorge Icaza, Rubén Darío dhe Miguel Asturias, por në vlerësimin e njerëzve të CIA-s, kur janë deklasifikuar materialet e tij thuhet se ishte thjesht një njeri i kulturuar i zakonshëm.**/*
Ditari i fundit i Che Guevares-7 tetor 1967(U ekzekutua dy ditë më vonë)
Mbushen sot 11 muaj nga inaugurimi i gueriljes, pa komplikime, thjesht: deri në fund të orës 12.30 kur një grua e moshuar, që kulloste dhinë në livadh, hyn në përroin e madh ku ne po pushonim. Gruaja kur na pa, ndali, por nuk u shtang. Nuk na dha ndonjë informacion të besueshëm për skuadronet e vdekjes, qe junta ushtarake kishte organizuar kundër gueriljes sonë. Për gjithçka që e pyesnim na përgjigjej se “nuk dinte gjë se kishte kohë që nuk shkonte nga ato anë’’. Na dha informacione vetëm për shtigjet se ku mund të kalonim. Nga sa na tha plaka e moshuar kuptuam se ndodheshim rreth një legë lart Higueras, një legë larg Jaguej-it dhe rreth dy lega larg Pucura. Në orën 17.30, Inti, Aniceto dhe Pablito shkojnë në shtëpinë e plakës, ku gjejnë një vajzë të saj të sëmurë, në shtrat dhe tjetra një vajzë me trup të imët, thuajse xhuxhe. Ata i dhanë 50 pesos duke e këshilluar që mos të tregonte asgjë pranë autoriteteve qeveritare, por ruanim mes vetes pak shpresa që ajo të mbante premtimin. Ne të tjerët u larguam në orën 17.00 nën dritën e një hëne të zbehtë, që na e bënte marshimin edhe me rraskapitës. Lamë shumë gjurmë në grykën e përroit të madh, pranë të cilit nuk kishte asnjë shtëpi, por vetëm kopshte të mbjella me patate, të ndara me vija uji. Në orën 2.00 ndalëm për të pushuar, edhe pse tashmë ishte e kotë të vazhdonim më tej. Chino, miku im i dashur, nga rraskapitja, shndërrohet në një njeri shëndet lig i vërtetë, kur ishte e nevojshme të ecje natën. Ushtria ka dhënë një lajm të çuditshëm rreth prezencës se 250 burrave në Serrano, për të penguar arratisjen e të rrethuarve, që thonë të jenë rreth 37 vetë, duke saktësuar se duhet të ishin fshehur në një zonë të ngushtë mes lumenjve Acero dhe Oro. Lajmi dukej se ishte diversionist.

 

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com