“Reporterët pa kufij”, Shqipëria ka zbritur 7 vende në indeksin e lirisë së medias

Situata me lirinë e medies në Shqipëri mbetet problematike, e rrezikuar nga sulmet e vazhdueshme të qeverisë dhe krimit të organizuar.

Në raportin më të fundit për lirinë e shtypit në botë të publikuar nga organizata ndërkombëtare e gazetarëve, “Reporterët Pa Kufij”, vendi ka rënë me 7 shkallë krahasuar me vitin e kaluar, duke u kthyer pas në rezultatet e katër viteve më parë pas një avancimi të lehtë në vitin 2017.

Organizata me seli në Paris informon se gazetarët në Shqipëri i nënshtrohen fyerjeve, kërcënimeve me jetë dhe procedimeve ligjore për të mos hetuar rastet e korrupsionit shtetëror apo privat.

“Politikanët, të udhëhequr nga Edi Rama, i etiketojnë gazetarët si “kazan” dhe fabrikues të lajmeve të rreme. Kryeministri gjithashtu ka propozuar një ligj që do të rritë kontrollin shtetëror mbi mediet elektronike, duke kufizuar më tej qasjen te lajmet dhe informacioni, pra në favor të qeverisë,”-thuhet në raport.

Whatsapp Image 2019 04 18 At 09.01.32

Monitoruesit e pavarur thonë se presioni i pushtetit ndaj gazetarëve duke i cilësuar ata injorantë, kazanë, sharlatanë apo armiq të publikut është një strategji e mirëmenduar e cila synon heqjen e vëmendjes nga skandalet e korrupsionit apo krimit në vend.

Megjithatë të ndodhur në këto rrethana, gazetarët detyrohen të ushtrojnë një vetëcensurë të skajshme, madje 80 për qind e tyre druhen se mund të heqin dorë nga profesioni i tyre.

Situata në rajonin e Ballkanit gjithashtu vijon të jetë problematike, e nxitur nga incidente të vazhdueshme verbale apo fizike ndaj gazetarëve, si në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi, apo edhe eliminimeve fizike si në rastet e Sllovakisë dhe Bullgarisë.

Mediet më të lira në gadishullin ballkanik paraqiten ato të Rumanisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë dhe Greqisë, sikurse Kosova e cila ndodhet 7 pikë mbi Shqipërinë.

Për vitin 2019, Norvegjia renditet si vendi me medien më të lirë në botë, ndjekur nga Finlanda dhe Suedia, ndërsa regjimet autoritare të Koresë së Veriut dhe Turkmenistanit përmbyllin raportin e “Reporterëve pa Kufij”.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU