Refuzuan dekretin e Metës, Garda merr në mbrojtje 4 anëtarët e KQZ-së

Katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga shumica, që injoruan dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve duke vijuar normalisht punën edhe në mbledhjen e sotme, janë marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës.

Katër anëtarët janë marrë në mbrojtje pas kërkesës që vetë ata i kanë bërë Ministrisë së Brendshme pas situatës së re që u vendosën në qendër të kritikave. Prej ditës së djeshme n/ kryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe anëtarët Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri janë nën mbrojtje.

Pavarësisht se Presidenti Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit duke i shtyrë pa afat dhe palët janë të ndara në ekstrem, KQZ vijoi normalisht punën edhe sot. Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri në mbledhjen e kaluar, u largua në mënyrë demonstrative duke deklaruar se nuk mund të vijojnë përgatitjet, pasi institucioni që ai drejton, sipas tij duhet ti bindet dekretit të Presidentit. Por katër anëtarët e PS-së vijuan normalisht mbledhjen dhe sot e thirrën sërish në 13:00 me rend dite disa vendime për përgatitjet e zgjedhjeve lokale. Sot mbledhjen e drejtori n/ kryetari Biba në mungesë të Klement Zgurit. “Në mungesë të kryetarit, mbledhjen e drejtoj unë” deklaroi ai, duke vijuar më pas me rendin e ditës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të rrëzojë vendimin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, por edhe në mbledhjen e sotme, ashtu si para pak ditësh nuk e hodhën në votim për ta rrëzuar, por e injoruan duke vijuar normalisht punën. Partia Socialiste vijon fushatën dhe shprehet e vendosur se në datë 30 qershor do të ketë zgjedhje, por opozita thotë se do t’i bllokojë përmes strukturës së re që urdhëroi të ngrihet në cdo degë të PD-së në rrethe. Presidenti nis sot pasdite konsultimet për datën e re të zgjedhjeve./l.m

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU