Zgjerimi i depozitave në sistemin bankar është ngadalësuar në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë stoku i depozitave shënoi rritje vjetore me rreth 1.1% në muajin maj, krahasuar me normën prej 2.3% në muajin mars.
Rritja vjetore e depozitave është mbështetur kryesisht nga depozitat në valutë (4.0%) ndërsa është kushtëzuar nga tkurrja në terma vjetorë e depozitave në lekë (-1.5%).
Ecuria sipas agjentëve ekonomikë tregon për rritje të moderuar të depozitave të individëve, me 0.7% në muajin maj, ndërsa depozitat e biznesit kanë ngadalësuar ritmet e rritjes në 4.7% në terma vjetorë.
Në terma të strukturës kohore, edhe gjatë kësaj periudhe ka vijuar prirja e zhvendosjes së depozitave drejt depozitave pa afat. Në muajin maj, depozitat pa afat përbëjnë rreth 34.5% të stokut total të depozitave, nga 34% në fund të tremujorit të parë.
Kjo ecuri reflekton uljen e mëtejshme të normave të interesit të depozitave, sidomos në maturitetet afatgjata në muajt prill-maj. Depozitat me afat nën dy vjet shfaqen me rënie, ndërsa ato me afat maturimi mbi dy vjet kanë frenuar ritmet e rritjes
Oferta monetare ka ngadalësuar më tej normat e rritjes vjetore në muajin maj. Treguesi i parasë së gjerë, agregati M3, ka shënuar rritje të moderuar me 0.3% vit mbi vit, krahasuar me 1.4% në fund të tremujorit të parë.
Zgjerimi i masës monetare është mbështetur nga rritja e mjeteve valutore të sistemit bankar, ndërsa ka vijuar të frenohet nga suficiti i lartë buxhetor në gjysmën e parë të vitit, si dhe nga aktiviteti kreditues i plogësht i sektorit privat. Krijimi i ulët i parasë në monedhë vendase ka ndikuar ecurinë e agregatit M2, i cili ka shënuar ngadalësim dhe më pas rënie të normave vjetore./Monitor/a.k