Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës.
Në fund të mbledhjes së Qeverisë ai ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Arsye e këtij vendimi ka thënë se është një thirrje për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale si i dyshuar.
“Sapo e informova qeverinë dhe pastaj do informoj dhe institucionet e tjera dhe partnerët politikë. Kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit të qeverisë. Pra, nga ky moment jemi në dorëheqje si qeveri. Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga dhomat e posaçme, pra Gjykata Speciale. Javën tjetër do të kem paraqitjen. Nuk mund të paraqitem si kryetar i qeverisë por si një qytetar, si Ramush Haradinaj për të ruajtur nderin e kryetarit të qeverisë dhe të shtetit kam vendosur që është e drejtë të jap dorëheqjen”, deklaroi Haradinaj para mediave.
Më tutje ai ka shtuar se taksa do të vazhdojë të mbetet.
“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jeni të parët që ju informoj. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante, do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër t’i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai.
“Përgjegjësia tani kalon te presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për të marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti im. Por s’kam mundur ta qoj shtetin dhe kryetarin e qeverisë sepse do t’ia rëndoja Kosovës dhe e kam marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj i emocionuar.
“S’e kam zgjedh këtë realitet. Nuk mendoj se e meriton t’ia bëj këtë Kosovës dhe nuk e bëj”, ka shtuar ai.