Rama për sulmin me vezë: Kakarisje normale në demokraci

    Kundër reformës në arsim! Kundër

    aksionit tatimor! Kundër dorës së fortë! Kundër reformës në drejtësi! Kundër flirtimit me Klanin! Kundër jaguarëve! Dhe në fund, kundër edhe me…vezë. Çfarë po ndodh me Edi Ramën dhe me qeverisjen e tij?

    Kryeministri i vendit rikthehet në Top Story këtë të enjte përballë analistëve më të mirë në vend, për t’u dhënë përgjigje dilemave dhe pyetjeve të vështira në një çast delikat të qeverisjes së tij, kur ai duket se në shumë aksione ka mbetur edhe pa mbështjetjen e aleatit strategjik, Ilir Metës.

    Rama e nisi fjalën e tij duke deklaruar se reformat nuk mbarojnë kurrë, ndërsa më pas u ndal tek incidenti ku u godit me vezë.

    “Besoj që është një kakarisje normale për një vend të lirë dhe nuk ka asnjë problem. Sigurisht që nëse do të më duhet të bëjë një interpretim, do bëjë interpretimin që deri dje për shkak të një kufizimi të madh, as e imagjinonte njeri që mund të bënte një akt të tillë; sot mund ta bëjë. Është një hap i madh përpara”, tha Rama.

    Pati pretendime nga studentët për dhunë gjatë shoqërimit në polici. Por a u goditën vërtetë? Rama e mohoi këtë.

    “Nga deklarata pashë që sipas tyre, në polici nuk u ushtrua dhunë, por u ushtrua jashtë. Nuk ndodh asgjëkundi që njerëzit e sigurisë të mos bëjnë detyrën, është bërë një verifikim normal dhe rezistenca dhe për më tepër pastaj unë ka m dëgjuar aty fjalët më vulgare. Edhe në video njerëzit dëgjuan fjalë vulgare. Nuk imagjinoj dot që të konsiderohen studentë të denjë ata që përdorin fjalët më vulgare ndaj kujtdo qoftë. Por ama dhunë nuk ka patur”, tha ai.

    Kryeministri deklaroi se grupi që mori përsipër sulmin me vezë ndaj tij, është shprehur kategorikisht kundër reformës në arsim, e cila, shtoi ai, është një reformë që gjithpërfshirëse, por që nuk mund të kënaqë të gjitha interesat.

    Së fundmi, opozita ka përshkallëzuar sulmet ndaj qeverisë duke denoncuar, sipas saj, një sërë aferash korruptive, të cilat së bashku me reformat e forta, duket sikur kanë rritur pakënaqësinë shoqërore. Rama deklaroi se pakënaqësia shoqërore është nuk shkon përtej kufijve politikë të PD-së.

    “Unë kam perceptimin tim për pakënaqësinë e shoqërisë, ju keni tuajin dhe të tjerët kanë të vetin. E sigurtë është që ajo çka fryn në mënyrë të përditshme me shumë gënjeshtra nga PD, nuk përfaqëson një pakënaqësi sociale që shkon përtej kufijve të vetë PD, që sot është në ditët e veta më të këqija nga pikëpamja politike”, deklaroi Rama.

    S'KA KOMENTE

    PËRGJIGJU