Kryeministri Edi Rama, pas daljes nga takimi në Vilën 30, u shpreh se ai u përqendrua te progresraporti i Komisionit Europian, të cilin e quajti si më të mirin ndonjëjherë për Shqipërinë, “që e vendos Shqipërinë qartësisht në një nivel të vlerësueshëm lart edhe në raport me vendet që tani janë në periudhë negociatash. Kemi diskutuar edhe për ecurinë e disa sektorëve, do të flasim edhe për të tjerët, për të garantuar rritje të cilësisë së qeverisje”.
Rama përjashtoi të jenë zhvilluar bisedime për çështje të tjera: “Mos prisni gjë tjetër veç vendosmërisë për të çuar reformat përpara. Gjithçka tjetër që thuhet është fantazi, pa lidhje me realitetin”. Të njëjtin etiketim, fantazi, Rama përdori edhe në lidhje me zgjedhjet e parakohshme.
Kryeministri sqaroi në lidhje me ligjin për shpifjen se ai nuk ka qenë një nismë për të cenuar shtypin.
“Për asnjë çast, asnjëherë, e verifikueshme lehtësisht nga prononcimet e mia të mëparshme, nuk ka pasur e nuk do të ketë një nismë për të cenuar qoftë dhe në formën e një nisme ligjore, lirinë e plotë, të fituar, të shtypit, në vitet të tëra betejash e përpjekesh. Nisma ka lidhje vetëm me një gjë, që ata që paguhen nga taksat e popullit shqiptar, të zgjedhur apo funksionarë, nuk mund t’i përdorin votat apo funksionet për të shpifur”.
Rama iu drejtua edhe tregtarëve që janë ngritur në protestë, duke u kërkuar “mos u përdorni, mos u abuzoni dhe mos lejoni që gënjeshtarë e mashtrues ordinerë t’ju përdorin, duke u thënë se po u vjen një e keqe e madhe nga ligji për procedurat tatimore. E kundërta është e vërtetë, për të gjithë tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregje do të ketë lehtësim. Jo rritje taksash por ndryshim rrënjësor të regjimit fiskal në shërbim të tyre”.