Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sërish mediat duke u kërkuar që të bëjnë shumë kujdes në raportimet që bëjnë për situatën pas tërmetit, teksa Tirana, Durrësi, Lezha dhe Laçi ndodhen në gjendje të jashtëzakonshme nga dëmet që pësuan. Kreu i qeverisë u kërkon mediave që të filtrojnë informacionet, t’i verifikojnë, të menaxhonjë debatet dhe ndalonjnë klithmat.
“Apel i detyruar mediave. Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore, Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër, paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit! Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!
Filtroni informacionet dhe verifikoni ato që thoni! Menaxhoni debatet dhe ndaloni klithmat nëpër studiot tv dhe përfshihuni në qetësimin e shpirtrave të goditur më keq se banesat! Kontribuoni për të kanalizuar energjinë e jashtëzakonshme të solidaritetit mbarëshqiptar!
Kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit që ju ndjek dhe jo për rrenat e shamatatë karakteristike të veprimtarisë së zakonshme të një pjese të madhe të sferës suaj” shkruan Rama.
Që pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme u arrestua dhe pas pesë ditësh u lirua nga qelia dhe u la nga gjykata në masën detyrim paraqitje Xhuljana Aliaj, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, e cila akuzohet për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Ndërkohë që u proceduan në gjendje të lirë edhe dy administratorët e faqes ‘Jeta Osh Qef’.