Nga Mero Baze
Shqipëria ka pranuar 20 emigrantë nga Eritrea që tentuan të hyjnë në ujrat italiane dhe reaksioni ndaj vendimit të qeverisë është i fortë nga opozita shqiptare dhe kritikët e pajtuar kundër saj.
Sulmi nuk ka të bëjë me ndonjë prirje të qeverisë për të marrë emigrantë të huaj, dhe as me ndonjë politikë raciste të opozitës sonë. Biles në krye të kësaj fushate është Fatos Lubonja, i cili ka gjithë jetën që anti-racizmin e ka moto të tij, por me sa duket të qenit anti-Ramë ja ka vrarë dhe këtë moto të jetës.
Vendimi është një akt simbolik, që dëshmon gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë bashkëvuajtëse në problemin e emigrantëve që mësyjnë Europën, dhe nuk ka ndonjë domethënie më shumë se kaq.
Problemi që kanë kritikët e qeverisë “Rama” me emigrantët që po mësyjnë Europën, është se ata janë të shqetësuar mos fiton pikë qeveria shqiptare, dhe jo se çfarë fitojnë 20 emigrantë nga ky gjest.
Rasti i parë i frikshëm i shpërthimit të racizmit ishte kur u përfol se Shqipëria mund të ndërtonte një kamp emigrantësh sirianë apo nga vendet e tjera të ikur nga lufta.
Racizmi i shpërthyer ishte i papranueshëm. Një vend që e ka shumicën e qytetarëve të vet emigrantë, dukej se përmes gojës së opozitës ishte një komb i zgjedhur nga zoti, gjaku i të cilit, nuk mund të përzihej me askënd. Një histeri e turpshme, raciste, vetëm nga frika se mos Shqipëria vërtet i merrte ata emigrantë dhe qeveria shqiptare fiton pikë në Europë.
Tani rasti është i kundërt. Marrja e 20 emigrantëve është simbolike dhe përgëzimët ekstreme nga Italia reflektojnë frustrimin që Italia ka me Francën dhe vendet e tjera të Europës, lidhur me kuotat e pranimit të emigrantëve. Italia thjesht e ka plotësuar atë kuotë dhe tejkalimi i saj ndryshonte fatin e qeverisë dhe seriozitetin e rregullave të përbashkëta.
Egërsia me të cilën opozita apo kritikët personalë të Edi Ramës ju vërsulën për këtë akt, ka të bëjë thjesht me qeverinë, dhe jo me emigrantët.
Ky lloj i racistëve politikë shqiptarë është dhe më i keq se ata europianë. Racistët europianë dhe politikat anti-emgrantë atje, janë të konsoliduara dhe janë platforma elektorale.
Racistët tanë, nuk e kanë platformë, e kanë hall. Ata janë kundër emigrantëve vetëm se mos shpëtojnë qeverinë. Nuk është se kanë gjë me ta, se shumica si Lubonja për shembull, janë vetë emigrantë.
Dhe të urresh emigrantët për hallin tënd dhe jo për bindjet e tua, është shumë më cinike, shumë meskine, më barbare dhe më e ligë se sa të jesh një anti-emigrant i formuar politikisht dhe ta kesh atë dimension racist, si pjesë e profilit tënd politik.
Racizmi i emigrantit Lubonja për 20 të ardhur nga Eritreja që po rehatohen në Tiranë, dhe gëzimi i racistit Salvini, që ata i pranoi Shqipëria, është një ironi e fatit për kohën që jetojmë, e cila tregon se verbëria politike tejkalon çdo identitet racist.
Anti-emigrantët shqiptarë janë racistë më të ligj, pasi janë gati t’i mbysin ata në det, apo në luftërat civile, jo se kanë gjë me ta, por se mos ardhja e tyre i bën mire dikujt tjetër. Janë më shumë se racistë. Janë vrasës me pagesë për llogari të racistëve.