Pse Greqia konfirmoi e para vdekjen e Admir Muratajt? Ja përgjigjia e Lleshajt

Ministri Sandër Lleshaj shpjegoi pse informacioni i parë se personi i vrarë pas grabitjes në aeroportin e Rinasit ishte Admir Murataj, erdhi nga Greqia, prej nga Murataj ishte arratisur nga burgu në vitin 2013.

“Policia shqiptare heziton të bëjë publik edhe fakte ordinere sidomos në momentet e para, se çdo fakt që jepet në publik është një paralajmërim për dikë tjetër që është në kërkim. Krijimi i një lloj mjegulle informacioni i shërben hetimit. Vendimi i policisë për të mos e ekspozuar menjëherë, ka qenë i dobishëm.

Ka qenë sulm i sinkronizuar në nivelin e sekondave, në kohë shumë të shkurtër, pak a shumë 5 minuta ka zgjatur grabitja, dhe 5 minuta ka zgjatur edhe arratia derisa grabitësit janë strukur në një tunel, ndërkohë që diku tjetër për të larguar vëmendjen e policisë i është vënë flaka diku më tej një furgoni të ngjashëm me grabitjen”, tha Lleshaj.

Ministri ndau vlerësimin maksimal për punën e Policisë së Shtetit ndërsa shtoi se beson se shumë shpejt do të shkohet drejt arrestimit të autorëve. Por për sasinë e parave të grabitura, ministri tha se nuk mund të parashikojë ç’mund të jetë bërë më to.

“Unë kam notën maksimale për policinë e shtetit në këtë rast. Çfarëdo sulmi mund të kërkohet në këtë rast, duhet kërkuar diku tjetër, por jo tek policia, ka vepruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam besimplotë që ngjarja do të zbardhet, arrestimi dhe rikuperimi i parave është një proces që…nuk mund të them gjë, se paratë mund të jenë djegur, po spekuloj, por nuk mund të bëj parashikime. Provat e mbledhura e bëjnë suksesin real”, pohoi ministri i Punëve të Brendshme.

/a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU