Me kërkesën këmbëngulëse të përfaqësuesve të SHBA-BE, me qëllim për ta bërë drejtësinë e re imune përballë fenomenit joshës të korrupsionit dhe çdo ndërhyrje nga jashtë, gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët do të kalojnë me sukses procesin e Vetingut do të kenë një shpërblim të shumëfishtë, të sigurt dhe afatgjatë.
Gjyqtarët dhe prokurorët që do t’i shpëtojnë skanimit të trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale, do të shndërrohen njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri, si nga pikëpamja ekonomike, nga privilegjet, ashtu edhe në raport me politikën. Konkretisht, njerëzit e drejtësisë aktuale, të cilët do të rikonfirmohen në detyrë, do të kenë një pagë mujore që shkon deri në tre mijë USD. Përveç pagës bazë, e cila do të jetë sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës.
Po ashtu, çdo vit, prokurorët apo gjyqtarët të cilët në vitin paraardhës kalendarik, në mënyrë të veçantë, kanë pasur vlerësimin më të lartë etik dhe profesional, marrin një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë. Për ushtrimin e pozicionit të kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë, do të përfitojnë 10% shtesë page mbi pagën bruto fillestare. Por, nuk mbaron me kaq. Gjyqtarët dhe prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë.
Shtesa për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. “Paga e magjistratit (magjistrat quhet çdo gjyqtar apo prokuror) dhe përfitimet e tjera financiare duhet të jenë në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit dhe të përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tyre”, thuhet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kredi për shtëpi të financuar nga shteti.
Gjyqtarët dhe prokurorët që do të kalojnë Vetingun do të mund të marrin kredi të financuar nga shtetit, për të blerë shtëpi të reja në qendrat e qyteteve ku ushtrojnë detyrën. Konkretisht, gjyqtari apo prokurori ka të drejtë që një herë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën.
Ndërkaq, për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person. Banesa e blerë nëpërmjet kredisë lihet kolateral në bankë për sigurimin e kredisë. Por, magjistrati ka të drejtë të shesë pronën gjatë kohës së amortizimit të kredisë dhe të blejë një banesë tjetër. Në rastet kur shuma e përfituar nga shitja është me e madhe se rritja e vlerës së tregut të pronës, atëherë diferenca do t’i kthehet shtetit. Magjistrati nuk ka të drejtë të japë me qira banesën e përfituar me kredi.
Pensioni suplementar dhe i parakohshëm
Prokurorët dhe gjyqtarët që do t’i mbijetojnë Vetingut kanë të drejtë që të përfitojnë pension suplementar dhe pension të parakohshëm. Magjistratët përfitojnë pension shtetëror suplementar dhe përfitime të tjera të parashikuara nga ligji “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”. Magjistrati gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm nëse ka mbushur të paktën moshën 60 vjeç, ka ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 30 vjet, duke përfshirë edhe periudhën e komandimit dhe që nuk është në gjendje të ushtrojë funksionin e tij, për shkak të sëmundjes, të vërtetuar nga komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë në punë.
Pushimet vjetore
Magjistrati, sipas ligjit, gëzon të drejtën për pushime vjetore të paguara me kohëzgjatje 25 ditë pune. Pushimet do të paguhen 2 ditë pune leje për çdo muaj të plotë në funksion; 2 ditë pune leje për një muaj jo të plotë, prej më shumë se 15 ditë pune; 1 ditë pune leje për një muaj jo të plotë deri në 15 ditë pune. Pushimet vjetore mund të merren njëherësh ose në periudha të ndryshme, sipas kërkesës së magjistratit dhe në përputhje me kërkesat e funksionit. Në çdo rast, pushimet duhet të përfshijnë një periudhë trejavore pa ndërprerje, gjatë muajit gusht, përveç kur kërkesat e ushtrimit të funksionit kërkojnë vazhdimin e aktiviteteve të gjykatës ose prokurorisë.
Po ashtu, magjistrati që kalon sëmundje gjatë pushimeve vjetore, të cilat mund ta pengonin atë në ushtrimin e funksionit nëse nuk do të ishte me pushime, përfiton shtyrje të kohëzgjatjes së pushimeve vjetore, të njëjtë me kohëzgjatjen e sëmundjes, me kushtin që kjo e fundit të vërtetohet me raport mjekësor. Ndërsa magjistrati që ndërpret pushimet vjetore për shkak të kërkesave të funksionit ose që i anulohen këto pushime, gëzon të drejtën për t’u kompensuar për të gjitha shpenzimet e kryera, veçanërisht shpenzimet e transportit, nëse ato vërtetohen me dokumentacionin e nevojshëm. Përveç pushimeve vjetore, magjistrati gëzon të drejtën të marrë pushime të tjera dhe leje prindërore. Magjistrati mund të kërkojë leje të papaguar deri në 2 vjet për qëllime kualifikimi profesional dhe specializime në një institucion trajnimi, ose për arsye familjare ose shëndetësore.
Siguria fizike
Gjyqtarëve dhe prokurorëve të drejtësisë së re do t’u sigurohet mbrojte e veçantë. Ligji parashikon që, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, magjistrati dhe familja e tij gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre. Magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit. Në rast se jeta, shëndeti dhe pasuria e magjistratit ose familja e tij janë në rrezik, shteti ofron mbrojtje të veçantë, si dhe mbrojtje fizike, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, pas konsultimit me Këshillat. Dëmet e shkaktuara për jetën, shëndetin ose pasurinë e magjistratit ose familjes së tij/saj, shpërblehen nga shteti, në rast se këto dëme shkaktohen gjatë ushtrimit të funksionit të magjistratit ose për shkak të tij.
Kolonë
Formula e llogaritjes së pagës për gjyqtarët dhe prokurorët
1. Paga e magjistratit caktohet sipas përkatësisë së magjistratit në grupin dhe nivelin e pagës.
2. Paga e magjistratit ndahet sipas grupeve të pagave (G), bazuar në këto tregues:
a) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ ose prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë (G1);
b) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ, prokuroritë pranë gjykatave së apelit, magjistratët që ushtrojnë funksionin në gjykatën e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
shkalla e parë (G2);
c) magjistrati që ushtron funksionin në Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, ashtu si dhe magjistratët që ushtrojnë funksionin në Gjykatën e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Prokurorinë e Posaçme (G3).
3. Shtesa për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim.
4. Në rastin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të emëruar nga radhët e juristëve që nuk vijnë nga karriera gjyqësore, për efekt të përcaktimit të vjetërsisë së ushtrimit në detyrë, shtesa për vjetërsi llogaritet në mënyrë të barasvlershme me atë të 15 vjetëve karrierë gjyqësore.
5. Paga mujore bruto e magjistratit përbëhet nga elementet si vijon:
a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me “pagën për funksion” të punonjësve të shërbimit civil të kategorisë së parë, klasa e tretë në pozicionin e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, ose me çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave. Referimi i pagës mujore bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë me “pagën për funksion”, sipas përcaktimeve të mësipërme, nuk ka si qëllim të përcaktojë vlerën relative të funksioneve gjyqësore dhe të prokurorisë me pozicionet e punës në shërbimin civil ose të mundësojë klasifikimin e tij në kategorinë ose klasën përkatëse;
b) shtesa për pagën në grup, e cila është shuma që rezulton nga shumëzimi i pagës referuese bazë me koeficientin në përqindje, sipas funksionit që magjistrati ushtron, referuar pikës 2, të këtij neni, përkatësisht:
i) G1 90 për qind;
ii) G2 98 për qind;
iii) G3 106 për qind;
c) shtesa për vjetërsi, e llogaritur mbi pagën referuese bazë, sipas pikave 3 dhe 4 të këtij neni;
ç) shtesa për pozicionin drejtues, e përcaktuar sipas parashikimeve të nenit 14 të këtij ligji;
d) shtesë për vështirësi pune, sipas parashikimeve të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”./shqiptarja
a.ç