Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se përpjekjet nga zyrtarë dhe afaristë serbë në Veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës, janë të papranueshme dhe të dënueshme.
Haradinaj tha se boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në Veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar.
“Në bazë të këtyre informacioneve, mësohet se pjesë e organizimit të këtij plani janë Radosh Petroviç, Goran Vllashkoviç, Bojan Jakshiç – Cojo, Sllavisha Staniç, Radulle Steviç. Sipas burimeve të mekanizmave të Sigurisë së Kosovës, ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma të tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në Veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviç. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim dhe ftojmë kryetarët e komunave në Veri dhe qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve”, tha ai.