Përleshje mes tifozëve pas takimit Prishtina – Llapi, një person goditet me thikë

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndodhur një përleshje ndërmjet tifozëve, pas ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe Llapit në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll.

Si pasojë, dy persona janë lënduar, me njërin prej tyre që dyshohet se është goditur me thikë.

“Rreth orës 19:30, nga QKUK, jemi njoftuar për dy persona të lënduar. Njëri prej tyre dyshohet të jetë i therur me thikë”, ka thënë për Koha.net zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Personat po marrin trajtim mjekësor, ndërsa njësitet policore janë duke punuar në zbardhjen e këtij rasti që ka ndodhë në afërsi të sheshit Nëna Terezë, ku dyshohet se ka pasur përleshje mes tifozëve pas një ndeshje futbollistike”.

Tifozët e Llapit kanë akuzuar tifozët e Prishtinës, “Plisat” se kanë therur gjashtë persona gjatë përplasjes.

Udhëheqësi i tifogrupit llapjan “Legjendat”, Bajram Bejtullahu nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se gjashtë tifozë të Llapit janë therur pas ndeshjes, gjë që është mohuar nga Plisat.

“Sulmohen ‘Legjendat’ në Prishtinë nga Plisat. 6 persona pas ndeshjes Prishtina – Llapi në shesh janë sulmuar nga Plisat, ku janë therur me thikë. Marre për juve, marre për mikpritjen tuaj”, ka shkruar Bejtullahu.

E këtë e kanë mohuar Plisat.

“Pasi pamë lajmin se në media po qarkullojnë titujt me shkrimet ‘Plisat therin 6 tifozë të Llapit’, duam të theksojmë se të gjitha këto janë gënjeshtra, Plisat si grup nuk janë të përfshirë në këto ngjarje”, thonë në një postim në Facebook, Plisat./i.h

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU