Ishte gushti i vitit 2009- Adem Grabovci po mbushte një vit e gjysmë në postin e zëvendës ministrit në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Ishte vartës i Fatmir Limajt në dikasterin qeveritar që shpenzonte më së shumti para në tenderë. Përafërsisht mbi 100 milionë euro. Përgjatë kësaj kohe, në familjen e tij gjërat kishin lëvizur në drejtim të fuqizimit financiar.
Në gusht të po atij viti kompania International Trafic Kosova (ITK), ku është hisedar nipi i tij, Nazmi Grabovci, kishte bërë një vit jetëgjatësi. Dhe pikërisht në këtë muaj, para shtatë vjetësh, kompania e Nazmiut do të niste rrugëtimin e përbashkët me Ministrinë, ku Adem Grabovci mbante post të lartë.
Kishte fituar 763 mijë euro nga kjo Ministri. Ishte shpallur fituese në dy pjesë (lote) të tenderit të emërtuar “Sinjalizimi në rrjetin rrugor magjistral dhe regjional të Republikës së Kosovës”. Bazuar në njoftimin për dhënie kontrate, të publikuar në faqen zyrtare të KRPP-së, njëri lot peshonte 399 mijë e 636 euro, ndërsa tjetri peshonte 363 mijë e 974 euro.
Por kompania e udhëhequr nga Nazmi Grabovci nuk do të ndalej me kaq. Do të fitonte më pas edhe tenderë tjerë publikë, duke shtrirë rrjetin e klientëve në katër komuna – në njërën prej tyre të kontrolluar nga PDK-ja – si dhe te tri kompani private që kanë përfituar tenderë të mëdhenj nga pushteti i PDK-së.
Insajderi ka pritur gati një muaj përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me këtë tender.
Ministria është pyetur se cilat kritere i kishte plotësuar kjo kompani kur ishte shpallur fituese në gusht të vitit 2009.
Po ashtu, është pyetur se si ndodhi që pikërisht kompania që drejtohej nga nipi i zv/ministrit të atëhershëm të fitonte tender publik që peshon qindra mijëra euro.
Ministria e Infrastrukturës nuk i është përgjigjur asnjërës pyetje. Ngjashëm ka vepruar edhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Ai është pyetur nga Insajderi se si ndodhi që gjatë vitit 2009 kompania e nipit të tij të fitonte tenderët publikë të Ministrisë në të cilën kishte post të lartë. Nuk ka dhënë përgjigje, ndonëse Insajderi ka pritur për më shumë se tri javë.
Ai ishte emëruar në postin e zv/ministrit më 31 dhjetor të vitit 2008. Kishte dhënë dorëheqje më 2010. Ndërkohë, përgjigje nuk ka dhënë as Nazmi Grabovci dhe kompania International Traffic Kosova (ITK), përgatiti Koha. (b.an)