Përballoi tradhtinë e burrit dhe vdekjen e tij, por s’kanë fund vuajtjet

Një histori e dhimbshme është trajtuar në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Në studio kishte ardhur zonja Alketa, e cila kishte sjellë motrën e saj. Historia e znj. Alketa është e dhimbshme. Bashkëshorti i saj Feridon Bollguri u vra më 2 Tetor 2012 në një krim pasioni. Ai kishte një lidhje martesore me një grua tjetër të martuar, e cila para tij ka pasur një tjetër të dashur jashtë martese. I dashuri i parë, për shkak të xhelozisë, vrau brenda makinës ish të dashurën e tij dhe të dashurin e saj të ri, që ishte Feridon Bollguri. Më pas vrau edhe veten.

Në atë kohë, znj.Alketa nuk dinte asgjë për lidhjen jashtëmartesore të bashkëshortit të saj. Kur ndodhi ngjarja, kunatat dhe njerëzit e tjerë të burrit i thanë se Feridon Bollguri kishte humbur jetën në një aksident me makinë dhe vetëm pas një jave mësoi çfarë kishte ndodhur. Sipas saj, kunetërit, kunatat dhe vjehrrit po silleshin keq me të duke i kërkuar që të largohej nga banesa e tyre. Ajo dhe bashkëshorti i ndjerë, Feridoni, kishin blerë një shtëpi në qytetin e Korçës. Mirëpo sot këtë shtëpi nuk e ka dhe jeton në një banesë të rrënuar në fshatin Podgorie. Aty jeton me një prej vajzave, kurse dy vajzat e tjera thotë se ia kanë marrë të afërmit e ish-burrit dhe nuk e lënë që t’i takojë. Fëmijët, shprehet znj.Alketa, janë e vetmja arsye që i japin forcë për të vazhduar përpara.

Ajo kërkon nga motra që ta ndihmojë në këtë situatë, por znj.Myrvete shprehet se i ka qëndruar pranë të motrës për 7 vite ndërsa tani refuzon dhe nuk ka mundësi. Drejtuesja e seancës së ndërmjetësimit, Eni Çobani, zotohet se do ta ndihmojë znj.Alketa për të rifituar trashëgiminë që i përket nga pasuria bashkëshortore.

Alketa: Kam ardhur nga qyteti i Korçës vetëm se kam një hall shumë të madh që nuk e zgjidh dot. Unë me Feridon Bollgurin jemi martuar në vitin 2000 në fshatin Podgorie. Pas 8 vitesh ne morëm një shtëpi në qytetin e Korçës. Qëndruam aty 4 vjet, pastaj shkuam në fshat se fëmijët rrinin 3 muajt e verës te gjyshërit. Kaluam 1 muaj atje, ndodhi fatkeqësia e rëndë. Burrin ma vranë. Unë nuk dija asgjë, vetëm punoja.

Myrvete: Përse më ke thirrur mua këtu, duhet të thërrasësh njerëzit e burrit. Burri tënd të tradhëtonte.

Alketa: Nuk e dija. Ai merrte në telefon, do çoj njerëzit refugjatë thoshte.

Ardit Gjebrea: Po ti e dije që e tradhëtonte bashkëshorti?

Myrvete: Unë e dëgjova në televizor kur e dha ditën tjetër.

Eni Çobani: Kur u lidh me Feridonin, keni qenë dakord si familje juve?

Myrvete: Jo, ka ikur vetë. Ne nuk donim. E mori vetë, u lidh me atë. Nuk na pyeti. Kjo ka qenë e lumtur as edhe 1 minutë në atë shtëpi. Unë i thoja gjithmonë, motër nuk është mirë aty për ty. Përse më sjell mua? Merr njerëzit e burrit andej.

Alketa: Po, s’kam forcë. Kësaj radhe më mbështet.

Myrvete: 7 vite të kam ndihmuar qëkur u vra burri jot. Ja kanë marrë me fëmijë, me shtëpi e me të gjitha. Çfarë t’i bëj unë kësaj.

Eni Çobani: Po fëmijët pse t’i morën?

Alketa: I morën se ata kanë lekë.

Eni Çobani: Në momentin që ndodhi ngjarja, çfarë ju thanë juve?

Alketa: Mua më thanë ik zhdukur. Erdhën motrat e burrit atje. Zhduku tha tani, neve na iku vëllai, përse rri këtu? Si të iki unë, kam 17 vite martesë. Kam 3 vajza.

Myrvete: Këtë e kanë rrahur dhe çfarë nuk i kanë bërë. E prapë ajo nuk na tregonte ne.

Alketa: Xhaxhai i vajzave ndodhet në Amerikës.

Eni Çobani: Si more vesh që vdiq Feridoni?

Alketa: Unë mora vesh që u përplas, nuk e dija unë. Hyja në dhomë shikoja që hapnin e mbyllnin televizorin dhe s’më tregonin asnjëra. Pastaj filluan motrat e burrit, debatonin, zhduku. E mora vesh pas 1 jave. Nga ora 18:30 i them vajzës së madhe, merre babin ku ndodhet. E mori dhe i tha jam këtu në klub. Pastaj as telefonata, asgjë nuk patëm. Filluan pastaj vinin njerëzit. Erdhën motrat e burrit, ik qëroju, ik zhduku që atë natë. S’duhet të heqësh rrobat e zeza, s’duhet të dalësh jashtë më thanë motrat e burrit, se është turp.

Myrvete: Mbaje kokën lart, ti s’ke bërë turp. Unë të kam ndihmuar 7 vite, çfarë të bëj unë.

Alketa: Atje kishte dy iPhone. I mora unë telefonat e burrit. Atje hodha firmë. Kur dola në korridor, kunati m’i mori telefonat. Telefonat ia dha vajzës së madhe, tjetrin nuk e di.

Ardit Gjebrea: Tani me kë jeton ti?

Alketa: Unë jetoj vetëm me një binjake. Ndodhem në fshat në një dhomë të vjetër.

Eni Çobani – Myrvetes: Çfarë ke bërë ti si motër?

Myrvete: Ne jemi 4 motra. Kam dhe dy më të mëdhaja se vetja. Kemi dhe dy vëllezër. Po njëri vëlla na ka bërë aksident. Kjo është motra ime e vogël.

Eni Çobani: Pse nuk shkoje te apartamenti yt në Korçë?

Myrvete: Nuk më linin, nuk më jepnin çelësin. Një kopje e mbante motra e burrit.

Eni Çobani: Jam pa fjalë! Kjo zonja që jeton në Korçë, ekziston një marrëdhënie brenda familjes në këtë formë që këtë zonjën me apartament në Korçë e kanë marrë e kanë futur atje në një dhomë që çfarë bie jashtë hyn brenda. Apartamentin e kanë tjetërsuar këta zotërinjtë, prandaj e kanë sjellë Alketën sot. Se edhe këtu që ka ardhur nuk di ta thotë. E kuptoni se në çfarë gjendje jemi ne? Pra, kjo zonja është pronare e një banese në Korçë, ka institucione Korça, ka gjyqtarë ka juristë, dhe e kanë lënë këtë të vazhdojë të rrijë. Kjo zonja ka nënshkruar vërtetë disa dokumente, të nderuar prokurorë të qytetit të Korçës që keni pasur në dorë nuk kallëzim të kësaj zonje, dhe nga verifikimet që keni bërë ju keni thënë nënshkrimi është i zonjës. Jo vetëm firma, po kjo është gati të japi dhe shpirtin, se kaq kupton. Me gjithë respektin që kam për Alketën. Prandaj këta njerëz duhen mbrojtur. Zonja Alketa, bashkë me tre vajzat si trashëgimtare të z. Feridon Bollguri, kanë trashëguar një apartament në qytetin e Korçës. Këtë apartament ja kanë shitur shtetasit Edmond Bollguri, sot ndodhet në SHBA, i cili është kunati i zonjës. Është vëllai i Feridonit. Nuk e di pse ka lindur nevoja e një njeriu që jeton në Amerikë të marri apartamentin e vëllait të vdekur në këto kushte dhe të lërë këtë zonjë me 3 vajza në atë situatë. Zonja ka hedhur vetëm një firmë, atë firmë që ka hedhur vetëm para njerëzve të policisë për marrjen e sendeve personale. As sendet nuk i mori.

Alketa: Kishin edhe dy makina që i shitën.

Eni Çobani: Ka bërë një kontratë shitje në Gusht të vitit 2013. Kontrat e shitjes është bërë midis zonjës dhe Edmond Bollgurit. Prokuroria që ka marrë kallëzimin e zonjës, kanë thënë firma është e zonjës, nënshkrimi është i saktë dhe kanë pushuar këtë hetim duke mos e konsideruar vepër penale.

Alketa: Unë vetëm për telefonat hodha firmë.

Eni Çobani: Kam një kontratë shit-blerje të datës 07.08.2013 e cila është bërë në qytetin e Korçës. Dokumentacioni i cili është çuar në Prokurori është totalisht i saktë sepse zonja nuk mund të çonte dokumentacion tjetër se ky është dokumentacioni. Në 22 Maj 2013 është bërë një prokurë e posaçme, ku zonja Alketa jep të drejta përfaqësuesit të posaçëm z.Sherif Abaz i cili ka të drejtë të paraqitet përpara institucioneve shtetërore në lidhje me pasurinë që vjen si trashëgim nga bashkëshorti im Feridon Bollguri, e luajtshme apo e paluajtshme, duke pasur të drejtë të përpilojë kërkesa, kërkesë-padi, t’i nënshkruajë, t’i depozitojë në gjykatë, të marrë pjesë në gjykim duke nënshkruar çdo njoftim në lidhje me dhënien e autorizimit për tjetërsim të pasurisë së paluajtshme apo luajtshme në emrin tim dhe të fëmijëve të mi, gjithashtu të paraqitet përpara zyrave noteriale për të kryer veprime tjetërsimi të kësaj pasurie. Me këtë prokurë, z.Sherif është paraqitur në zyrën noteriale dhe ka bërë kontratën e shit-blerjes me z.Edmond Bollguri, dy kunetërit. Dhe shitës është Alketa Bollguri përfaqësuar me prokurë të posaçme nga Sherif Abaz. Ku janë paratë e këtij apartamenti? Unë dua ku ka kaluar shuma e lekëve të këtij apartamenti. Është marrë Prokuroria me këtë pjesë? Vlera e shitjes është me vlerën totale 54 milionë Lekë të vjetra. Unë dua të di nga Prokuroria e Korçës kush i ka marrë? Nëse i ka marrë zonja këtu, të na thotë.

Alketa: Unë s’kam marrë asgjë. Unë tani hyra në punë, 6 muaj kam.

Eni Çobani: Në fund të kësaj kontrate ndërmjetësimi, kontrata e shitjes e lidhur nga Sherif Abaz, ka elementë të pavlefshmërisë absolute dhe konkretisht veprimi juridik është fiktiv. Në mendimin tim, qëllimi i palëve nuk ka qenë kalimi i pronësisë, por qëllimi i vërtetë ka qenë që zonjës t’i hiqej e drejta e pronësisë mbi këtë apartament. Nuk ka qenë elementi çmim, ka qenë elementi që zonja mos kishte të drejtë ta rishiste.

Eni Çobani – Myrvetes: Me motrën tënde nuk merresh më. Pra me motrën tënde duhet të merrem unë. Ti je motra e një barku, e ke lënë.

Myrvete: Ajo po më shkatërron. Unë e erdha këtu për hatrin tënd, nuk do vija për atë.

Eni Çobani: Atëherë, Alketa bashkë do vemi në Korçë, do ta vazhdojmë. Nuk do të lë asnjë grua shqiptare që burrat shqiptarë të abuzojnë më me gra si ju të cilat nuk arrini dot as të thoni emrin tuaj, jo të hidhni firma. Është krim i madh që me gra të tilla të abuzoni dhe të thoni të nesërmen që firma është e saj. Ajo nuk di të artikulojë, jo më të hedhë firmë. Prandaj Alketa, bëhu e fortë dhe kërko të drejtat e tua. Së bashku do shkojmë deri në fund për të kërkuar apartamentin tënd dhe të vajzave të tua.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU