Për opozitën tonë të pluralizmit, që dashuron monizmin!

Nga Alfred Peza

Për të dytën ditë me radhë, dy kandidatët për Kryetar Bashkie në Lezhë dhe në Kavajë, të deklaruar fillimisht si të regjistruar në KQZ nën siglën e partisë së re “Bindja Demokratike” e Astrit Patozit, u tërhoqën nga gara.

Jam krejt indiferent nga pikëpamja politike, se çbëjnë partitë e opozitës, apo kandidatët e tjerë të regjistruar si të pavarur, për garën e 30 Qershorit. Pozicioni i PS është i qartë në këtë histori, e deklaruar nga Kryeministri Rama: Zgjedhjet do bëhen më 30 Qershor. Në një sistem pluralist, ato zhvillohen për qytetarët dhe jo për partitë. Ndaj subjektet politike që nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e procesit, nuk mund ti marë askush me zor. Respektojmë zgjedhjen e tyre. Për pasojat e vendimeve që do marin, le ti japin llogari, anëtarëve dhe votuesve të tyre.

Ajo që më intereson, e që dua ta ndaj me publikun, lidhet me nje fenomen interesant politik i pahasur më parë ndoshta në asnjë demokraci tjetër, veç kësaj tonës në Shqipëri. E kam fjalën për një tendencë të opozitës sonë jashtparlamentare, për të demonstruar veprime, sjellje dhe një frymë moniste.

Për çfarë është fjala? Të dy kandidatët e tërhequr nga gara për Kryetar Bashkie në Lezhë dhe Kavajë, përtej arësyeve dhe të drejtës së tyre personale, kanë artikuluar publikisht pothuajse të njëjtën frazë. Ata kanë thënë se e morën vendimin pasi “nuk mund të ketë zgjedhjet në 30 Qershor. Sepse nuk mund të bëhen zgjedhje vetëm me një parti”.

E para, kushdo që ka shpallur kandidaturën për çfarëdolloj pozicioni në këto zgjedhje dhe me çfarëdo partite, koalicioni apo si i pavarur, minimalisht ka aq informacion sa ta ketë ditur me kohë, se zgjedhjet janë dekretuar nga Presidenti i Republikës, për tu zhvilluar më 30 Qershor.

E dyta, e kanë ditur prej disa javësh gjithashtu, se partitë e “Opozitës së Bashkuar” (PD, LSI, etj.), nuk do të mernin pjesë në këtë proces, sepse vendimi ka qenë edhe zyrtar, edhe publik. Për rrjedhojë, nuk u kishte mbetur që të regjistroheshin në KQZ, që të arrinin në konkluzionin se “zgjedhjet nuk mund të bëhen me një parti”. Për aq kohë, sa ata vetë nuk ishin pjesë e asaj partie, por e një alternative tjetër politike opozitare me të!

Në këto kushte, duke qenë se këta kandidatë kanë dhënë si argument politik për tu tërhequr nga gara, të njëjtën argument që japin edhe Lulzim Basha e Monika Kryemadhi dhe të tjerët rrotull tyre në politikë e media, kuptohet fare qartë se nga u ka ardhur në mos “presioni”, le të themi për elegancë “sugjerimi” apo “joshja”, në mënyrë që të kthenin mendje. Kjo qasje nuk do të ishte për tu marë në konsideratë, nëse do të ishte një hap i veçar, nga konteksti i të gjitha zhvillimeve politike të muajve të fundit në Shqipëri. Por:

– Kur e sheh opozitën tonë jashtparlamentare, që bëri gjithçka për tia rrëmbyer kauzën qytetarëve të Kukësit, kur u ngritën në protestën e tyre për çështjen e tarifave të kalimit të automjeteve në rrugën e “Kombit”;

– Kur e sheh Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin, se si e politizuan protestën e banorëve të “Astirit” dhe të “Teatrit Kombëtar” për interesat e tyre politike;

– Kur sheh PD dhe LSI që bënë gjithçka për ta marë peng e për ta përdorur protestën e studentëve të vërtetë që u mblodhën përpara ministries së Arsimit, në fillim të dhjetorit 2018;

– Kur sheh opozitën antisistem që bëri gjithçka për të mos lejuar futjen në Parlament të deputetëve të rinj të listave zyrtare të dorëzuara me firmën, vulën, dëshirën, vullnetin dhe dorën e tyre në KQZ në zgjedhjet e 2017;

-Kur sheh opozitën e mandateve të djegura, që po bën gjithçka për të sulmuar, luftuar e zhbërë realitetet e reja opozitare, që po lindin si brenda ashtu edhe jashtë Parlamentit (partitë, lëvizjet e koalicionet e reja, kandidatët e pavarur, etj.) e kupton se opozita jonë pluraliste, ka një qasje tipike moniste.

Një qajse për të diktuar me çdo çmim, me çdo mjet, me çdo veprim, me çdo kusht, me çdo instrument demokratik ose jo, të ligjshëm ose jo, çdo gjë që ka lidhje me politikën në Shqipëri. Kushdo tjetër që mendon ndryshe nga opozita jonë jashtëparlamentare dhe antisistem, sulmohet, denigrohet, fyhet, akuzohet, dhunohet verbalisht, politikisht, publikisht e mediatikisht. Nuk ka rëndësi nëse je shqiptar në këtë rast, apo ndërkombëtar!

PD dhe LSI, nëpërmjet kësaj filozofie moniste po kërkon me çdo kusht e me çdo çmim fitoren e pushtetit në tavolinë. Si në monizëm; Jo me zgjedhje. Jo me garë. Jo me program. Jo me platformë. Jo me fushatë elektorale demokratike e pluraliste. Jo me kandidatët dhe programin e saj alternativ në zgjedhjet e 30 qershorit. Por, me krejt të kundërtën. Me asgjesimin e çdo mendimi, e çdo gjykimi, të çdo aktori e faktori, të çdo zëri dhe të çdo mundësie tjetër qytetare e politike jashtë “Opozitës së Bashkuar” që nuk e njeh apo e pranon, monopolin e saj.

“Opozita e Bashkuar” mendon se ajo dhe vetëm ajo e ka monopolin e së djathtës shqiptare. Monopolin e opozitarizmit. Monopolin e pluralizimit. Monopolin e mendimit dhe veprimit ndryshe. Monopolin e pushtetit. Monopolin e qeverisjes. Monopolin e të drejtës. Monopolin e të vërtetës. Në Shqipërinë e pas 30 viteve të rrëzimit të Murit të Berlinit, për opozitën tonë jashtëparlamentare e antisistem, ose “Edi Rama do ik nga pushteti, ose ajo do të shkrihet”. Një parrullë tipike e atij sistemi gjysëmshekullor që kemi lënë pas, e cila qeverisej sipas filozofisë moniste: “O me ne, o kundër nesh. Rrugë të mesme, nuk ka!”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU