Pendesa e Brokajt: Rekomandova Berishën për anëtar të PPSH

Politikani dhe mjeku i njohur, Sabit Brokaj, në një intervistë të gjatë për gazetën Dita, thotë se ka qenë ai që ka rekomanduar që Sali Berisha të anëtarësohej në PPSH në vitin 1968.

“Pasazhi më interesant që kam shkruar në atë rekomandim ishte ky: “Kam bindjen se Sali Berisha do të jetë komunist i devotshëm dhe besnik i partisë dhe i popullit”. Mirëpo Saliu në gjithë veprimtarinë e tij provoi të kundërtën, ndaj jam penduar që i dhashë dorën atëherë”.

Brokaj thotë se prishja përfundimtare me Berishën erdhi kur ai e arrestoi në vitin 1997.

“Ka ndodhur më 28 shkurt të vitit 1997. Një ditë më parë kisha dhënë një intervistë të rreptë në një kafe afër PS-së. E prisja të them të drejtën. Isha me Namik Doklen dhe Arta Daden duke shkuar në Vlorë, kur në Lushnje më doli një makinë policie dhe më arrestuan, por kjo nuk kishte vlerë për policët. Ata më futën në një makinë dhe më sollën në Tiranë. Gjatë rrugës njëri nga policët ankohej se kishte lënë kamionin me mall dhe ishte veshur polic. Ata kishin problemet e tyre. Kur erdha në Tiranë, as akuzën nuk ma thanë. Në qeli isha me katër persona të tjerë. Secili kishte hallet e veta. Ditë e tretë më thirri hetuesi. Por mua më kishin porositur të mos flisja pa avokat, sepse mund të kapeshin në ndonjë fjalë. Avokat kisha Spartak Brahon. Në Gjykatën e Tiranës mora vesh akuzat. Isha organizatori i Kryengritjes së Jugut dhe organizator i bandave të 26 majit. Ata nxorën një regjistrim. Unë kam një motër në Vlorë, të cilës i vdiq burri herët e i la fëmijët jetimë. Më mori motra një ditë e më tha se i kishte ikur djali në demonstrata dhe telefonova vëllain të bënte kujdes dhe thashë se pas demonstratave, policët ushtronin dhunë dhe të bënin kujdes në demonstrata. Avokati im u kap tek data e përgjimit, që ishte përpara ligjit për përgjimet”.

“Ua kam thënë edhe herë tjetër se mua më është propozuar nga Ramizi para Saliut që të vihesha në krye të PD-së dhe të opozitës, por unë nuk pranova”, thekson sërish Brokaj.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU