PD dhe aleatët, në rrugë më 25 Maj! Basha: Nuk i ndaloj dot molotovët!

Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PD, Lulzim Basha dha një prononcim për mediat teksa konfirmoi datën e protestët së ardhshme.

Selia blu dhe aleatët e saj kanë vendosur që pas 10 ditësh të mblidhen sërish para zyrës së Edi Ramës për të kërkuar largimin e këtij të fundit.

Kreu i  Partisë Demokratike hodhi një lum akuzash mbi pronarët e mediave dhe kandidatët socialistë në zgjedhjet e 30 Qershorit.

Duke shprehur bindjen se zgjedhjet lokale nuk do të mbahen në datën kushtetuese, Basha tha se PS po garon disa individë me të shkuar kriminale.

I pyetur nëse do të ketë sërish akte dhune dhe përdorim të bombave molotov, kryedemokrati “lau duart” mbi këtë opsion të kritikuar nga ambasadorët e huaj dhe më gjerë.

“Unë nuk jam komandanti i baballarëve të Astirit dhe as të shqiptarëve që Edi Rama po u prish shtëpitë” – tha Lulzim Basha sot.

Ai deklaroi se kurrë nuk ka nxitur akte dhune, por nga ana tjetër nuk mund ta frenojë zemërimin e qytetarëve.

Opozita joparlamentare do të protestojë më 25 Maj në orën 19:00. Edhe pse PD reflektoi në protestën e fundit, pas thirrjes së ndërkombëtarëve, duket se Basha do t’u lejë militantëve “dorë të lirë” këtë radhë.

/JavaNews/A.Rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU