Pasuritë e frikshme të politikanëve dhe paradokset kosovare

Nga Agron Demi

Javë më parë, në emisionin «Rubikon» të KTV-së, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli shprehu habinë se si bashkëshortja norvegjeze e kryetarit të Vetëvendosjes arriti t’i kursejë 80 mijë euro? Rrjedhimisht, sipas Kryetarit të Kuvendit, Vetëvendosje dhe askush nga partitë opozitare nuk mund t’ia bëjë me gisht për korrupsion atij dhe partisë që ai drejton.

Por, përderisa Kadri Veseli shpreh habinë se si një qytetare norvegjeze arrin të kursejë 80 mijë euro (85 mijë euro më saktësisht), ai injoron faktin se shumë nga bashkëpartiakët e tij të përfaqësuar në Kuvend dhe në institucione tjera kanë deklaruar pasuri shumëfish më të lartë se sa një shtetase norvegjeze.

Bruto Produkti Vendor (GDP) i Norvegjisë sillet rreth 400 miliardë dollarë ose 56 herë më i lartë se ai i Kosovës; gjersa GDP për kokë banori është mbi 75 mijë dollarë apo 19 herë më i lartë se sa në Kosovë. Norvegjia i prinë listës së vendeve me standardin më të lartë të jetesës dhe listës së vendeve me qytetarët më të lumtur në botë.

Teorikisht, secili qytetar norvegjez është milioner. Për shkak të rezervave të mëdha të naftës, Norvegjia ka themeluar «Fondin e naftës», ky është një fond i kursimeve qytetare, i cili e ka kaluar vlerën e 1 bilion dollarëve. Marr parasysh të gjitha këto, pyetje më e natyrshme do të ishte se si një qytetare norvegjeze ka vetëm 85 mijë euro të kursyera?

Përderisa kryetari i Kuvendit merret me pasurinë e shtetasve norvegjezë, neve na mbetet të shtrojmë pyetje për politikanët e Kosovës, veçanërisht bashkë-partiakët e Kadri Veselit. Ditë më parë gjykata gjeti fajtor dhe e dënoi (duke shprehur keqardhje për dënimin) Sokol Bashotën, atë që do t’i prijë «Dekadës së Re» të PDK-së në komunën e Klinës. Bashota nuk kishte deklaruar banesën dhe veturat «Jeep» e «BMW X5».

Në legjislaturën e kaluar, 36 deputetët e PDK të cilëve u printe Kadri Veseli, kishin deklaruar pasuri në vlerë të përgjithshme prej mbi 50 milionë euro. Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare «Çohu», një pjesë e politikanëve nga radhët e PDK-së nuk e kanë deklaruar saktë prejardhjen e pasurisë, nuk e kanë arsyetuar atë, nuk kanë arsyetuar ose dhënë detaje për paratë e gatshme, etj.

Këtyre ditëve, Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar publikimin e të dhënave të deklarimit të pasurisë për vitin 2019. Nëse shikojmë vetëm të dhënat për deputetët e PDK-së, të cilëve u prinë Kadri Veseli në parti dhe Kuvend, dhjetë nga 23 deputetët që kanë deklaruar pasurinë janë më të pasur se qytetarja norvegjeze, edhe pse ata marrin pagë vjetore sa gjysma e pagës së norvegjezes. Përse kjo nuk e habit Kadri Veselin dhe miqtë e tij në prokurori?

Si është e mundur që nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti të ketë 132’700 euro të kursyera në banka, edhe pse rroga e tij vjetore është dukshëm më e vogël se e qytetares «problematike» norvegjeze? Si është e mundur që deputeti Abdyl Salihu (PDK) të deklarojë pasuri mbi një milion euro, e të ketë vetëm 100 euro në bankë? Po Blerta Deliu-Kodra me pasuri prej afër 1.4 milionë euro, e me «vetëm» 2’800 euro në bankë?

Para se Kadri Veseli të shpreh habinë për kursimet e qytetares norvegjeze, po në «Rubikon» nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, relativizonte pasurinë e politikanëve, duke deklaruar se secili qytetar i Kosovës i kanë nga dy apo tre milionë euro.

Por, deklarimi i Veselit për qytetaren norvegjeze me 85 mijë euro të kursyera nuk vjen nga mosdija e tij apo habia e sinqertë. Kjo është strategji e menduar mirë për t’iu hedhur hi syve të gjithëve. Për t’i barazuar të gjithë në korrupsion nuk ngurrohet edhe të shpifet e manipulohet edhe me të «dhëna norvegjeze». Përderisa kryetari i Kuvendit merret me kursimet e norvegjezëve, e nënkryetari na bënë milioner secilin prej nesh, prokuroria nuk guxon të marrë në pyetje asnjërin për aferën e përgjimeve rreth «Spitalit të Dalladakut», ku fajdexhinjtë dyshohet se marrin para në emër të Kadri Veselit e Xhavit Halitit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU