Nuk janë vetëm dyqanet e Tiranës që po mbyllin qepenat, duke iu “fshehur” aksionit kundër informalitetit, që ka trazuar gjithë bizneset ditët e fundit.
Edhe në qytetin bregdetar të Durrësit, bizneset po tentojnë të largohen nga radari i tatimorëve, siç duket dhe në foto, ku disa prej tyre janë mbyllur.
Megjithatë, numri i dyqaneve që i kanë vënë kyçin aktivitetit është shumë më i ulët se në Tiranë, edhe për faktin se ky është një qytet më i vogël dhe njerëzit njihen me njëri-tjetrin.
Dy ditët e fundit, në Tiranë ka pasur një mbyllje masiveve të dyqaneve, pas paralajmërimeve për kontrolle të rrepta nga ana e tatimorëve, në kuadër të aksionit kundër informalitetit.
Aksioni pritet të fillojë me të vërtetë ditën e hënë të javës së ardhshme, kur grupet e përbashkëta mes tatimorëve e inspektorëve të punës do të zbresin në terren për të kontrolluar bizneset e vogla në të gjithë Shqipërinë (sipas kryeministrit Rama do të jenë 600 grupe kontrolli).
Sanskionet pritet të jenë të ashpra. Nëse do të gjenden dyqane pa NIPT do të sekuestrohet malli dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe nëse kapet malli pa faturë.
Në dispozicion të inspektorëve do të jenë dhe punonjës të Policisë së Rendit, që do të vijnë menjëherë, nëse do të ketë sinjalizime për rezistencë apo presion nga bizneset. /Monitor/