Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryeministre, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se po planifikon që të krijojë një program nacional të kursimeve qeveritare i cili do ta eliminojë luksin.
Sipas saj, nëse rishikohen skemat e dëmshme; atëherë kursehen 100 milionë euro në vit.
Kështu ka thënë ajo në debatin “Fol hapur”, me temën “Shteti funksional sipas Vjosa Osmanit”.
“Për mua funksionimi i shtetit lidhet me funksionimin e jetës së qytetarëve. Një shtet funksional është kur dita dhe viti i një qytetari është i përballueshëm edhe në aspektin e mbrojtjes, por edhe në aspektin financiar”.
“Hapi i parë që ne do të marrim ka të bëjë me riorganizimin e Qeverisë. Në kemi planifikuar që Qeveria të përbëhet me 12 ministri. Kjo nuk nënkupton që punëtorët e sektorit publik do të largohen; përkundrazi ata do të bashkohen”.
“Për mua do të jetë prioritet që bordet të përbëhen nga njerëz profesional. Politizimi i skajshëm e shkatërron jo vetëm bordin, por edhe bashkëpunimin që ne kemi me OJQ-të dhe partnerët ndërkombëtarë. Çështja e riorganizimit mund të rregullohet shumë shpejtë”.
“Ne planifikojmë që të kemi një program nacional të kursimeve qeveritare i cili do ta eliminojë luksin. Nëse ne i rishikojmë skemat e dëmshme; atëherë kursehen 100 milionë euro në vit. Kjo automatikisht i jep komoditet Qeverisë së ardhshme që të investojë në fusha të ndryshme”.
Osmani, ka thënë se dialogun me Serbinë do ta drejtojë Qeveria e ardhshme e Kosovës.
Ajo ka thënë se Presidenti i Kosovës vetëm do ta dekretojë marrëveshjen e arritur me Serbinë.
“Sa i përket dialogut me Serbinë – do të udhëhiqet nga Qeveria, por jo vetëm nga unë. Në fushën e negociatave kam përvojë më shumë se secili kandidat për Kryeministër. Të tjerët e kanë shikuar nga televizori; ndërsa unë kam qenë e përfshirë drejtpërdrejti”.
g.kosovari