Autoritetet maqedonase presin që brenda pak ditësh ta nënshkruajnë me palën greke marrëveshjen e arritur për emrin e ri të Maqedonisë. Por, pakënaqësitë janë të dukshme sidomos tek partitë opozitare si në Shkup edhe në Athinë.
VMRO-DPMNE e cilëson si kapitulim të kryeministrit Zoran Zaev, ndërkohë që nuk pranon ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese për çështjen e emrit. Ndërkohë në një reagim të qeverisë thuhet se askush nuk ka të drejtë ta pengojë të ardhmen e Maqedonisë.
Marrëveshja shikohet në mënyra të ndryshme nga qytetarët e të të dy vendeve fqinje:
“Maqedonia është greke, siç është Aleksandri i madh, gjuha e lashtë greke, monedhat dhe monumentet”, thonë grekët. “Ne jemi maqedonas dhe do të mbetemi të tillë”, thonë në Shkup.
“Maqedonia gjithmonë do të jetë Maqedoni, por nëse dikush mendon se do të jetë më mirë të jetë Maqedonia e Veriut, le të jetë ashtu”, thonë në Shkup.Shqiptarët, në veçanti partitë e tyre politike në Maqedoni e kanë mbështetur marrëveshjen më të re që do t’i jepte fund problemit 27 vjeçar të emrit të Maqedonisë.
Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev nuk e ka fshehur entuziazmin, duke thënë se marrëveshja ia hap dyert vendit drejt anëtarësimit të shpejtë në NATO dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Kemi një zgjidhje historike, shekullore! Një emër dinjitoz dhe gjeografikisht të saktë: Republika e Maqedonisë Veriore. Me përkthim në të gjitha gjuhët; marrëveshja ruan identitetin e popullit tonë maqedonas”, tha kryeminstri Zaev.
Në Athinë, kryeministri grek Alexis Tsipras thekson se marrëveshja siguron se nuk do të ketë synime ndaj territorit grek që mban emrin Maqedoni.“Në të ardhmen fqinjët tanë veriorë nuk do të mund të pretendojnë asnjë lidhje me civilizimin e lashtë grek të Maqedonisë”, tha zoti Tsipras.
Ai ka një shumicë të brishtë në parlamentin grek dhe analistët në Athinë vlerësojnë se marrëveshja me Shkupin mund t’ia dëmtojë zotit Tsipras karrierën e tij politike.
Ndërkohë, në Shkup së pari marrëveshja do të miratohej në parlament e më pas, në shtator ose tetor do të nxirrej në referendum popullor. Megjithatë, ndryshimet që duhet të bëhen në kushtetutë për shkak të emrit, mendohet se do të jenë të vështira. Nevojitet 2/3 e parlamentit për këtë gjë, që shumica parlamentare nuk e ka.
Emri i ri Republika e Maqedonisë së Veriut ka gjetur mbështetjen ndërkombëtare: marrëveshjen e ka mirëpritur Departamenti amerikan e Shtetit, Bashkimi Evropian dhe NATO, përgatiti Koha. (b.an)