Ka shkuar në 4 numri i efektivëve të pezulluar që akuzohen se kanë ndjerrë informacione hetimore në lidhje me arsenalin e armëve që u gjetën në aksin Elbasan-Papër, armatime që që i përkasin prodhimit francez dhe belg, të cilët përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO.
Fillimisht u pezulluan nga detyra Edi Gjyli, specialist krimesh dhe Eduart Hasani, ish-shef i sektorit për krimet në Elbasan, aktualisht inspektor tek Krimet e Rënda. Report Tv mëson se pasdite janë pezulluar nga detyra edhe Albjon Xhitozi, shef i Krimeve në Cërrik dhe Bilal Semanaj, shef i komisariatit të Cërrikut.
Sipas informacioneve, ata dyshohet të kenë nxjerrë për mediat fotot e armëve të sekuestrua, në një operacion të konsideruar sekret për shkak se nxjerrja e informacioneve mund të cënonte hetimet. Policia e Shtetit ende nuk ka nxjerrë asnjë informacion zyrtar në lidhje me armët e gjetura dy ditë më parë.
Të pezulluarve u janë sekuestruar telefonat, ndërsa në hetim administrativ janë edhe dy specialistë të kriminalistikës, por pa masë pezullimi.
Pas atentatit ndaj dy vëllezërve Baho në datë 1 Korrik, policia dhe RENEA nisën kontrollin e banesave dhe territorit. Efektivët e këtij reparti gjatë kontrollit në ambientet e karburantit “Eldio Petrol”, krejt rastësisht zbuluan një bazë armatimi, që besohet se i përket një grupi kriminal të fuqishëm në Elbasan. Bëhet fjalë për 17 armë të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia e Elbasanit dhe të gjitha janë dërguar për ekspertim balistik dhe daktilografik në institutin e policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme.
Pjesa më e madhe e armëve janë moderne dhe që i përkasin prodhimit francez dhe belg, armë këto që përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO. Vetëm 7 janë kallashnikovë dhe një armë gjahu çifte. Ndërsa pjesa tjetër janë armë të sofistikuara dhe që kanë një preçizion të lartë në qitje. Mes tyre ka dhe snajpera modern. Ndërkohë mësohet se 5 janë pistoleta me silenciator.
Nuk dihet se në çfarë rrethana dhe si kanë hyrë në Shqipëri ky armatim që përdoret nga ushtritë e NATO-s, por tashmë prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim edhe me drejtorinë qendrore të policisë së Shtetit, kanë nisur veprimet hetimore me qëllim zbulimin e personave që kishin në pronësi këto armë. Lidhur me këtë ngjarje, momentalisht është shpallur në kërkim policor një person i cili quhet Ilir Beko. Ky person rezulton të jetë dhe pronari i karburantit “Eldio Petrol”, ku në ambientet e këtij karburanti në një magazinë, policia gjeti arsenalin e madh të armëve.