Gjeneralja e parë femër në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, emërohet në krye të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS).
Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e auditorit të Ministrisë së Mbrojtjes ishin zëvendësministri z. Petro Koçi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantja e re e KDS gjeneral brigade Manushaqe Shehu, komandantë forcash, si dhe drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu kënaqësinë dhe privilegjin për prezantimin e komandantes së re të KDS gjeneral brigade Manushaqe Shehu. “Unë mendoj se në këtë rast me të vërtetë është bërë histori, jo vetëm në procesin e gradimit të gjenerales Shehu, por edhe në emërimin në një strukturë të rëndësishme të FA. Prandaj në emër të ministres së Mbrojtjes Kodheli, Shtabit të Përgjithshëm, i urojmë suksese gjenerales Shehu në këtë detyrë të re.”- tha z. Koçi, i cili shprehu besimin për punën e gjeneral brigade Shehut në krye të institucionit të vetëm ushtarak në vend. “Besoj se misioni i KDS nën drejtimin e gjenerale Shehut, jo vetëm do të plotësohet, do realizohet, por me kontributin e saj, do të japë drejtime të reja dhe sigurisht një energji për të cilën ka nevojë sa herë bëjmë ndryshime. Besojmë se me këtë emërim, historia e FA shënon një ngjarje të veçantë.”- tha ai.
Nga ana e saj gjeneral brigade Manushaqe Shehu u shpreh shumë e nderuar që merr detyrën e Komandantit të Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe vlerësoi punën e paraardhësit të saj në këtë detyrë, gjeneral brigade Dedë Prenga. Më tej ajo theksoi vendosmërinë e saj për përmbushjen e objektivave të kësaj komande.”Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe strukturat e saj vartëse do të jenë të angazhuara maksimalisht në përmbushjen e përgjegjësive të tyre për t’i dhënë një impuls të ri punës për realizimin e misionit dhe detyrave të ngarkuara. Kam besim të plotë se me disiplinën, profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjithë efektivave të KDS, me vizionin dhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm si dhe mbështetjen e përhershëm të familjes sime, do ta përmbush me sukses detyrën e re”.
Në fund, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, i dorëzon flamurin e KDS komandantes së re, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, e cila ka hyrë në histori si e para femër që shërben si gjenerale në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe që emërohet në krye të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, e cila është i vetmi institucion arsimor ushtarak në vend me një eksperiencë pune 14 – vjeçare.
KDS funksionon dhe mbështet veprimtarinë e saj mbi tre shtylla kryesore: arsimim, stërvitje dhe përpunim i mendimit doktrinar ushtarak. KDS zhvillon dhe përpunon konceptet kryesore të programeve mësimore të institucioneve të vartësisë për ndërtimin e një sistemi arsimor ushtarak të unifikuar dhe bashkëkohor./a.m.