Nis shtrimi i 22 kilometrave, By–Passit të Fierit gati këtë verë

Prej vitesh shqiptarët presin të përfundojnë 22 kilometrat e një autostrade të re, e cila shmang rrugën e vjetër kombëtare që lidh Fierin me qytetin e Vlorës.

Që të kalosh përmes segmentit të vjetër, të duhen minimalisht 40 minuta. Gjate sezonit të verës, trafiku i rënduar nga pushuesit që frekuentojnë plazhet e jugut dhe rruga e ngushtë u kushton udhëtarëve disa orë dhe qindra aksidente.

Kjo tablo do t’i përkasë të shkuarës në pak javë. By Pass-i i Fierit, që do ta evitojë rrugën e vjetër është drejt përfundimit. Në 9 kilometrat e para të drejtimit  që lidh Vlorën me Fierin ka përfunduar hedhja e asfaltit dhe po përgatitet shtrimi edhe për 11 kilometra të tjera.

Sonila Qato, drejtore e Autoritetit Rrugor Shqiptar thotë se këtë sezon turistik, qytetarët do të udhëtojnë përmes autostradës së re, 22 kilometra të gjatë. Karrexhata në njërin krah do të hapet brenda muajit Qershor.

Inxhinierët e kompanisë “Combined Group”, e cila do të përfundojë segmentin kundrejt një vlere prej 38 milionë eurosh, thonë se terreni fushor dhe me prani të shumta uji ka patur vështirësi inxhinierike. Edhe shiu i ditëve të fundit është bërë pengesë.

Por të gjithë të sigurojnë se korsia e anës së majtë do të jetë gati brenda 30 Qershorit. Drejtorja e Autoritetit Rrugor thotë se punimet janë riskeduluar dhe po përgatitet plani i menaxhimit të trafikut kur të hapet korsia për mjetet e lehta.

Korsitë janë të gjera 3.75 metra. Në muajin Shkurt të vitit të ardhshëm autostrada do të hapet e gjitha në të dy krahët. Ajo do të jetë e pajisur dhe panele mbrojtëse për të evituar erën e fortë që rreh këtë segment.

Faza më intensive e punimeve është përqendruar në dy urat e fundit. Ajo e Pojanit ka përfunduar, ndërsa po shtrohen trarët te ura Semanit.

“Jemi në kilometrin e dytë e të by-pass-it të Fierit. Mbrapa meje është ura e Semanit, ndërsa një kilometër më poshtë ndodhet ura e Hoxharës. Këto janë dy veprat më të rëndësishme infrastrukturore të këtij segmenti. Punimet janë duke ecur me intensitet dhe urat po përgatiten për hedhjen e betonit.”

Edhe në urën e Hoxharës punimet janë drejt përfundimit. Trarët janë shtruar dhe po përgatitet hedhja e betonit.

Të dy urat bëjnë lidhjen me rrethrrotullimin e Mbrostarit që lidh by–pass-in me Autostradën Fier – Lushnjë. Pas hapjes së rrugës, mjeteve do t’u lejohet një shpejtësi deri në 120 km/h dhe koha për të udhëtuar drejt autostradës Levan – Vlorë shkon në 15 minuta. /a.r

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU