Nga Holanda në Bari, kamionistët shqiptarë kapen me kokainë e mijëra euro

Policia italiane vuri në pranga dy kamionistë shqiptarë të moshës 30 e 44 vjeç. Ata u arrestuan në Portin e Barit me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Gjatë kontrollit në doganë në automjetin e tyre që vinte nga Holanda me destinacion Shqipërinë, u gjetën rreth 7 kg kokainë e mbi 150 mijë euro cash.

Kamioni transportonte patate të ngrira nga Hollanda në Shqipëri e tranzitonte përmes portit të Barit. Lënda narkotike së bashku me paratë ishin fshehur në një vend të modifikuar enkas në kabinën e shoferit.

Kokaina ishte e konfeksionuar në 6 pako ndërsa paratë cash ishin në bankonota në prerje 20 e 50 euro

Dy shtetasit shqiptarë janë vënë në pranga e janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane në burgun e Barit./ i.h

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU