Në 6 vite, 19.300 persona morën dënime alternative

Plot 19.300 persona kanë përfituar deri në vitin 2015 nga dënimet alternative. Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë një sërë veprimtarish të organizuara nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, në lidhje me ndërgjegjësimin për dënimet alternative ndaj burgimit.

Në takimin që u zhvillua sot në Durrës, në lidhje me këtë temë, ishin të pranishëm Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, Prokurori i Përgjithshëm,  Adriatik Llalla, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa, si edhe kryetarë gjykatash, gjyqtarë e prokurorë nga rrethi gjyqësor Durrës, Kavajë dhe Elbasan dhe nga Gjykata e Apelit Durrës.

“Futja në burg e shkelësve të ligjit nuk është e vetmja zgjidhje që i bën njerëzit të ndihen të sigurt. Aty ku është e përshtatshme, vënia në provë është më efikase se sa burgimi, pasi ajo ndërthur llogaridhënien me rehabilitimin me qëllim riintegrimin e suksesshëm në shoqëri të të dënuarve. Në fakt, heqja e lirisë duhet të jetë alternativa e fundit”, tha Raunig. Ai shtoi se vëmendje, në këtë kuadër, i duhet kushtuar edhe mbikëqyrjes elektronike.

Numri i personave të dënuar me dënime alternative ka ardhur vazhdimisht në rritje, nga 705 në vitin 2009 në rreth 19,300 në vitin 2015. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e ka mbështetur për vite me radhë Ministrinë e Drejtësisë në ngritjen e Shërbimit të Provës, duke kontribuar për ta bërë këtë shërbim efikas.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha se përveç mbështetjes për Shërbimin e Provës, ai i është mirënjohës OSBE-së edhe për projektin “Për një drejtësi pa vonesa”, që ul kohëzgjatjen e seancave gjyqësore përmes një menaxhimi më të mirë të gjykimit dhe, në përgjithësi, për punën në bazë që bën Prezenca e OSBE-së.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU