Mesazhi i Federica Mogherinit përballë studentëve të Univeristetit të Tiranës ka qenë i qartë, “Shqipëria është Evropë” dhe ajo që mbetet është rruga e vendit drejt integrimit Europian. Sipas Mogherinit, shtetet e ballkanit kanë qenë dhe do të jenë pjesë e europës dhe pa to BE nuk është e plotë.
Mogherini tha gjithashtu se BE është gati të hapë negociatat, por i takon Shqipërisë që të bëjë hapin duke ecur me reformën në drejtësi, jo sepse e kërkon Brukseli, por sepse e duan qytetarët shqiptarë.
“Unë shoh që nuk e kërkon Brukseli reformën në drejtësi, por qytetarët shqiptarë. Prandaj është e nevojshme që kjo reformë të kryhet… E kërkojnë shqiptarët, jo BE. Shqiptarët kërkojnë një sistem drejtësie të pavarur, është përgjegjësi e institucioneve ta zbatojnë këtë reformë me të njëjtën qasje që gjetën kur e miratuan atë. Ne jemi të hapur për të çelur negociatat me Shqipërinë, ne jemi gati, tani ju takon juve të bëni një hap më parë me të njëjtin qëndrim që kanë treguar forcat politike një vit më parë“. -tha Mogherini për reformën në drejtësi.
“Këto nuk janë kohë të lehta për rajonin dhe më vjen mirë që ju sot më keni dhuruar një bisedë të këndshme në këto ditë. Për mua takimi me qytetarët e një vendi, për mua të takohem me të rinjtë, më jep mundësinë që ta shoh vendin në sy, sepse nuk e kam këtë luks gjithnjë. Për mua është në mënyrë absolute e qartë se Shqipëria është Europa, ju keni rrugën drejt integrimit të BE-së, por ju jeni europianë.”-tha Mogherini.
“Më lejoni të them që tani e ka Shqipëria në dorë të që të marrë hapat përpara. Shqipëria është tani një anëtar i respektuar i komunitet ndërkombëtar. Unë besoj që aktorët në rajon duhet të jenë shumë të kujdesshëm në mënyrën sesi trajtojnë fqinjët. Unë e di që mesazhi që ju do të prisnit prej meje është që të tregoni durim, por jo, unë them që ju duhet ti tregoni udhëheqësve tuaj se cfarë doni. Unë do të thoja që ju t’i kërkonit udhëheqësve tuaj me zë të lartë cfarë kërkoni. Nuk dua të keqkuptohem sepse nuk po nënkuptoj protesta, por ju duhet t’i vini përballë kërkesave tuaja udhëheqësit tuaj politikë.”-tha Mogherini./java/a.k