Mediat italiane nxjerrin në dritë të tjera detaje nga sasia rekord e marijuanës gjetur mëngjesin e sotmën në një gomone të braktisur në breg të detit, në zonën e San Basilio, Marina di San Foca të Leçes.
Sipas LeccePrima, gomonia nuk është arritur të identifikohet në det, as të kapet nga policia, por ka qënë një keqkuptim mes skafistëve dhe atyre që do merrnin në dorëzim drogën, shkak për lënien e saj në breg të detit.
“Kësaj here, nuk pati ndjekje në det, as sinjalizime për trafik me gomone, ishin vetë trafikantët ata që vendosën të lënë mallin në gomone dhe të marrin arratinë”,- shkruan LeccePrima.
Mediat italiane shkojnë më tej dhe thonë se, nuk dihen arsyet pse u braktis droga në gomone, kur bëhet fjalë për një ngarkesë me shumë vlerë, gati 4 milion euro nëse do të hidhej në treg.
Duke u nisur nga lloji dhe mënyra e paketimit të drogës, mediat italiane hedhin dyshimin se ajo është trafikuar nga Shqipëria, ndërsa nuk ngurojnë të shkruajnë se “trafikantët kanë sfiduar të ftohtin polar”.
“Disa peshkatarë, rreth orës 8 të mëngjesit, vunë re menjëherë gomonen dhe drogën e përhapur në breg midis San Foca dhe Torre Specchia Ruggeri dhe lajmëruan menjëherë 112. Kur shkoi patrulla, gomonia me motorin e fuqishëm Yamaha me 200 kuaj fuqi ishte në breg të detit, ndërsa pakot ishin shpërndarë, disa ende mbi gomone, disa në breg, por vetëm gjurmë njeriu nuk kishte”,- theksohet më tej.
E sipas mediave, pikërisht këtu lind enigma duke supozuar se diçka nuk ka shkuar mirë në takimin mes skafistëve dhe atyre që do të merrnin në dorë mallin. “Ndoshta një avari, ndodhta një vonesë, ngricat, kanë bërë që me të zbardhur dita, nga frika që mos i zbulonin, skafistët kanë menduar t’ja mbathin dhe të lënë mallin aty”.
Policia italiane ka nisur sakaq hetimet me dy provat që ka në dorë, drogën dhe gomonen, ndërsa për skafistit nuk ka asnjë të dhënë.
Ky është rasti i tretë i transportit të drogës me gomone për vitin 2017-të. Në dy rastet e para sinjalizimet kanë ardhur nga Guardia di Finanza. I pari pikërisht natën e Vitit të Ri dhe i dyti në 5 janar, që kulmoi me një ndjekje në det të hapur, një të arrestuar dhe dy të arratisur.bw/a.k