Miratohet vendimi, institucionet e drejtësisë do grupohen në një bllok të vetëm

Qeveria shqiptare i është rikthyer një projekti të dikurshëm për të grupuar institucionet e drejtësisë në një zonë të vetme. Në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi që përcakton fillimin e procedurave për programin e integruar të zhvillimit “Poli i Drejtësisë”, nëpërmjet të cilit synohet zhvillimi i një zone urbane në funksion të krijimit të një blloku të integruar infrastrukture për akomodimin e institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe të institucione të tjera të interesuara, me qëllim mbështetjen e këtyre institucioneve me infrastrukturën e nevojshme dhe bashkëkohore, në mënyrën më të shpejtë të mundshme.

Blloku pritet të jetë në zonën e Laprakës në Tiranë.

“Programi i integruar i zhvillimit “Poli i Drejtësisë” do të zhvillohet në pronën me nr. 1/644, të ndodhur në zonën kadastrale nr. 8210, Tiranë, duke përfshirë edhe çdo pronë shtetërore kufitare ose që ndodhet pranë kësaj pasurie, përfshirë pronën me nr. 1/645, pasuri e llojit truall, dhe godinën e ngritur në këtë pronë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Godina e ndërtuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në zonën kadastrale nr. 8210, Tiranë, është pjesë integrale e zhvillimit të programit, me qëllim sigurimin e ambienteve /zyrave të punës dhe të përfaqësimit për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Shkollën e Magjistraturës” përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Programi i integruar i zhvillimit “Poli i Drejtësisë” do të shtrihet në 2 faza, gjatë periudhës kohore 2019−2022.

Faza e parë e programit do të shtrihet në periudhën kohore 2019-2020. Për zbatimin e fazës së parë të programit, me urdhër të Kryeministrit do të krijohet grupi ndërinstitucional i punës, i kryesuar nga përfaqësuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe me anëtarë përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Grupi ndërinstitucional i punës, përveç detyrave të tjera të ngarkuara me urdhrin e Kryeministrit, kryen edhe detyrat e mëposhtme:

-Vlerëson gjendjen juridike të pronësisë së godinës, të ndërtuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, gjendjen ligjore të pronësisë së truallit ku është ndërtuar kjo godinë, përcaktimin e vlerës së pasurisë së paluajtshme. Nëpërmjet metodave alternative të vlerësimit të sendeve të paluajtshme, duke pasur në konsideratë, veçanërisht, vlerën fillestare të investimit, nëpërmjet vlerësuesve profesionistë.

-Pas përcaktimit të vlerës së godinës, sipas parashikimit të mësipërm, grupi ndërinstitucional i punës inicion procedurën e negocimit me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, për blerjen e kësaj pasurie të paluajtshme në përputhje me kushtet e përcaktuara në Kodin Civil.

-Në përfundim të procesit të negocimit, grupi ndërinstitucional i punës përgatit projektkontratën e blerjes, e cila i përcillet për miratim Këshillit të Ministrave, nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Grupi ndërinstitucional i punës, gjatë punës së tij, mund të asistohet nga ekspertë teknikë që do të jenë të ngarkuar të bëjnë vlerësimin e godinës së ndërtuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Kontraktimi i ekspertëve teknikë kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Faza e dytë e programit do të shtrihet në periudhën kohore 2020−2022, gjatë së cilës kryhen veprimet e mëposhtme:

-Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, do të hartojë dokumentacionin e domosdoshëm për pajisjen me lejet përkatëse për ndërtimin/zhvillimin e projekteve në pasuritë e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.

-Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të marrë masa që të përcaktojë buxhetin e nevojshëm për financimin e vlerësimit, të projektimit, të zbatimit të punimeve dhe të mirëmbajtjes së godinave pjesë përbërëse të “Polit të Drejtësisë”.

Vendimi përcakton se Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të jetë agjencia zbatuese për projektimin dhe zbatimin e punimeve për ndërtimin e godinave dhe të infrastrukturës mbështetëse të “Polit të Drejtësisë”.

Projekti i bashkimit të institucioneve të drejtësisë në një bllok të vetëm ka qenë një projekt i diskutuar më shumë se 10 vite më parë. Por për shkak të problematikave që u shfaqen me pronësinë e zonës ku do të ndërtohej “Pallati i Drejtësisë” projekti dështoi dhe fondet e Bashkimit Europian të parashikuar për këtë projekt u dogjën.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU