Ministri Ditmir Bushati për negociatat me Athinën: Duam të ezaurojmë Ligjin për Luftën

Debatet për negociatat për kufirin detar me Greqinë vijojnë të jenë ende prezente për sa kohë nuk është dhënë akoma autorizimi i Presidentit Meta.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka qenë i ftuar në emisionin “Përballë” në RTSH, me gazetarin Lutfi Dervishi ku në këtë intervistë foli për marrëdhëniet me Greqinë, po ashtu dhe për vijimin e negociatave, per Ligjin e Luftes etj.

Pjesë nga Intervista

Lutfi Dervishi: Ekipi i mëparshëm negociator është kritikuar se e bëri marrëveshjen në më pak se një vit dhe ata kishin vetëm një çështje, çështjen e detit. Ju me dy raunde në Kretë dhe me bisedimet që përmendët, mendoni se do të arrini të zgjidhni në pak muaj, të adresoni të gjithë problematikën, siç ju keni thënë, 70 vjeçare të problemeve midis dy vendeve?

Ministri Bushati: Nuk janë dy raunde në Kretë. Bisedimet e para për këtë paketë kanë nisur në vitin 2014, ndërkohë që në vitin 2016 ne kemi këmbyer nota me palën greke, ku të dyja palët kanë listuar çështjet dhe kanë skicuar gjithashtu rrugëzgjidhje të mundshme e pas këmbimit të këtyre notave, kemi vendosur krijimin e një mekanizmi dialogu që drejtohej nga dy ministritë e Jashtme. Janë bërë disa raunde bisedimesh dhe konsultimesh, sikundër janë bërë raunde të posaçme në nivel ekspertësh, ku janë analizuar jo vetëm vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, por edhe çështje të ngjashme të së Drejtës së Detit dhe Jurisprudencës Ndërkombëtare në këtë fushë dhe takimi i Kretës e takimi i Korçës, kanë qenë takime më intensive, me pjesëmarrjen dhe drejtimin e dy ministrave, për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme këtij dialogu të nisur mes palëve.

Lutfi Dervishi: Jeni i kënaqur me dy takimet?

Ministri Bushati: Natyrisht që është bërë një progres i qenësishëm dhe ka një erë të re të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Është shumë e rëndësishme që ne mos të mbetemi peng i së shkuarës, sepse e kam thënë edhe disa herë, ne nuk ulemi në këto takime për të rishkruar historinë, apo për t’i mbushur mendjen njëri-tjetrit për mënyrën sesi ne e shohim të shkuarën, por për të adresuar, në përputhje me disa parime të së Drejtës Ndërkombëtare dhe me një frymë evropiane, të gjitha problematikat e për të shikuar drejt së ardhmes.

Lutfi Dervishi: Cilat janë pikat/çështjet prioritare për Shqipërinë gjatë këtyre bisedimeve?

Ministri Bushati: E para, ne duam që të ezaurojmë kapitullin e luftës, sepse është paksa absurd që sot e kësaj dite ka ende një Ligj Lufte në fuqi në Greqi përkundrejt Shqipërisë, i cili ka efekt politik.

Ne nuk ndjehemi asfare të kërcënuar në kuptimin ushtarak, apo në kuptimin e sigurisë, sepse jemi dy vende anëtare të NATO-s, por është një absurd politik, të cilin ne duam të evitohet sa më shpejt të jetë e mundur. Së dyti, ka një aspekt ligjor çështja e Ligjit të Luftës, sepse pronat e shtetasve shqiptarë me kombësi greke dhe pronat e shtetit shqiptar janë vendosur nën sekuestro konservative, si pasojë e këtij ligji. Prandaj, ne mendojmë se heqja e Ligjit të Luftës me një akt të njëvleftshëm nga ana e së drejtës greke, do të çlironte energji pozitive qoftë në kuptimin politik dhe psikologjik, por mbi të gjitha dhe në kuptimin ligjor të fjalës. Dhe kjo do të ezauronte edhe një lloj debati të stisur këtu së brendshmi në rast se ekziston apo jo një ligj i tillë. Më pas, e gjithë shporta e çështjeve të Luftës së Dytë Botërore duhet që të adresohet.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU