Miku nuk rrihet në shtëpi z. President i Tiranës

Nga Dritan Laci

Kanë kaluar 48 orë nga derbi Tirana-Partizani, dhe akoma opinioni publik është i shokuar, nga skenat e dhunës që shpërthyen në fund të ndeshjes.

Por ajo që është edhe më shokuese është mënyra se si protagonistët e kësaj dhune, po përpiqen të justifikojnë gjakun e derdhur pas ndeshjes.

Aq e pafalshme, sa nuk po u besoja syve ndërsa mu desh të lexoja sot në median e shkruar intervistën e Presidentit të KF Tiranës, Refik Halili, i cili jo vetëm që nuk di të kërkojë falje, por edhe bën rolin e viktimës nga dhunues që është.

Një njeri që ka shpenzuar shumë për ekipin, por që mesa duket futbollin e shikon si arenë boksi, por pa kuptuar që i vetmi ndryshim është se: gjaku në boks është i çertifikuar, ndërsa në futboll është i ndëshkueshëm.

Dhe duke lexuar këtë intervistë të sotme, mu desh të kthehesha shumë pas në kohë, në një tjetër episod të dhunshëm ku sërish protagonistë ishin futbollistë dhe stafi i ekpit të Tiranës.

Pikërisht më 25 janar 2010. Ditën kur luhej derbi Tirana-Dinamo (në fund të këtij shkrimit do jetë e postuar edhe video e dhunës në këtë ndeshje).

Një ndeshje e cila shkoi gjithçka mirë sa kohë Tirana ishte në avantazh, për tu kthyer më pas në arenë grushtash, shkelmash etj në momentin kur Elis Bakaj, atë kohë dinamovit, kaloi ekipin e tij në avantazh.

Ku edhe atëkohë ashtu si në ndeshjen e fundit, protagonist për keq do të bëhej Devi Muka, në atë kohë futbollist i Tiranës, sot drejtor teknik i po këtij ekipi.

Pikërisht i njëjti person i cili dhunoi me shpulla stafin e Partizanit në ndeshjen e fundit.

I njëjti që goditi me kokë në atë ndeshje të 6 viteve më parë sulmuesin e Dinamos, Elis Bakaj, pasi ky shënoi golin e avantazhit për ekipin e tij. Ku pjesë e kësaj dhune u bë edhe trajneri i atëkohshëm i Tiranës Alban Tafaj, i cili siç shfaqej duke qëlluar më grusht Elis Bakajn.

Ndeshje pas së cilës Elis Bakaj përfundoi në Spitalin e Traumës, me frakturë në kokë, gjë që dëshmohet edhe nga pamjet e mëposhtme, ku del i fashuar nga urgjenca.

Ku më shumë se gjithçka do të fliste intervista e tij prekëse vetëm disa ditë më pas, po citoj: “Nuk e di ç’kishte me mua. Unë këtë punë kam të bëj gol”.

Po pra Elis, detyra jote në atë kohë dhe këtë kohë është të luash futboll dhe të bësh gol.

Ashtu siç bëre edhe në ndeshjen me Partizanin. Por ndryshe nga kjo ndeshje, edhe pse tifozët e Partizanit, mund të kenë shumë arsye për të të “urryer”, sepse të konsiderojnë si bukëshkalë, edhe pse ti për mua bën punën tënde, prapë ty nuk të dhunoi kush, sic bënë me ty 6 vite më parë ata që sot janë drejtuesit e ekipit ku ti mbron fanellën.

Por ajo që më trishton më shumë është mungesa e mea culpas nga ana e Presidentit të Tiranës, Refik Halili.

Ndërsa po kërkoja të gjeja një shpjegim, përse ky President e ka kaq të vështirë të pranojë që stafi i tij u soll keq ndaj Partizanit, papritur më erdhi në ndihmë video ku ti Elis padrejtësisht u dhunove, nga ata që sot janë drejtues të ekipit ku ti luan.

Po aq e pabesueshme sa dhe intervista e dhënë nga Presidenti Halili në atë kohë. Ku ndërsa e gjithë bota e futbollit u shokua ndërsa shikonte se si futbollistët dhe stafi i Tiranës, dhunonin në atë mënyrë barbare, të pashoqe futbollistët e Dinamos, Presidenti Halili dilte dhe thoshte se: “Nuk do ti falte lotët e Tiranës në këtë ndeshje”.

I njëjti qëndrim me atë të mbajtur në intervistën e dhënë sot për të përditshmen më të madhe sportive “Panorama Sport”, ku nga dhunues perfundon papritur në viktimë.

Intervistën në të cilën z. Halili thotë, po citoj: “Unë mendoj që erdhëm deri në këtë pikë për shkak se Dervishi (drejtori i gjakosur i Partizanit) në shumë raste prej disa muajsh po e sulmon Tiranën, në mënyrën më të keqe. Dhe kur kalon një periudhë kohe, nuk t’i fal njeri dhe nuk t’i harron njeri. Unë nuk jam pro dhunës e as për të dëmtuar njeri, dhe as për të goditur e për të shqetësuar askënd. Ama, Dervishi nuk e ka marrë dhe nuk ka dashur që ta marrë përgjigjen në rrugë të tjera, edhe pse mund t’i kenë thënë shumë njerëz: “Çfarë po bën”, por e mori në mënyrën më të keqe. Gjithsesi, le t’i bëhet edhe mësim. Nëse e analizojmë, është njeriu që ka folur fjalë të këqija kundër klubit të Tiranës.”.

Pra sipas z. Halili, Dervishi (drejtori i Partizanit që gjakosën) duhej rrahur sepse kishte folur keq për Tiranen para se të zhvillohej ndeshja.

Pra çdo gjë ishte parapergatitu?!!!!

Po sikur z. Halili të mbledhim të gjitha deklaratat fyese që ekipi i Tiranës dhe protagonistë të saj kanë lëshuar  kohë pas kohe ndaj ekipit të Partizanit dhe simboleve të tij, çfare duhet të shpallnim: Luftë Civile?!!

Çfare ështe kjo mendësi që ju po përhapni, dhe a jua dëgjojnë veshët atë që nxirrni nga goja?

Thoni në intervistën tuaj që… po citoj “Së pari, deklaratat e drejtuesve të Partizanit në shumë e shumë ndeshje të kaluara kanë qenë shumë të rënda, ndërkohë që në këtë ndeshje që pësuan një rezultat që nuk u shkon për shtat, bëjnë të tilla sjellje. Në lidhje me këtë, u bëj thirrje që duhet të jenë të kujdesshëm me çdo deklaratë që japin. Kushdo që është pjesë e një skuadre.”

A mund të na i tregoni edhe ne sportdashësve se cilat janë deklaratat fyese që drejtues të Partizanit kanë lëshuar ndaj ekipit të Tiranës dhe simboleve të këtij ekipi?

Më jepni një tillë dhe unë do distancohem menjëherë.

Çfarë doni të thoni me fjalinë: “duhet të jenë të kujdesshëm  në çdo deklaratë që jepni”.

Do i rrihni sërish? A të shkon ty si President i një ekipi 24 herë kampion i Shqipërisë një gjuhë e tillë?

Po vazhdoj me intervistën tuaj të sotme.

Po i kthehem asaj që ndodhi.

A mund të jepni sot një përgjigje të sinqertë z. Halili, se çfarë donte z. Saimir Shehri në stadium?

A është ky person i dënuar nga Federata me dy vite pezullim për të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet futbollistik?

A i respekton KF Tirana, vendimet e Federatës?

Përse ky person i cili ka lëshuar të zeza ndaj Partizanit dhe simboleve të tij, vjen 10 minuta para se të fillojë derbi dhe parakalon në formë demonstrative ne sektorin H1, aty ku ndodheshin tifozët e Partizanit (gjithçka e dokumentuar me foto dhe video?

Me ç’frymëzim ky person merr një angazhim të tillë, plotësisht provokativ?

Po sikur ky moment të shërbente për ti vënë zjarrin ndeshjes pa filluar, cili do të ishte justifikimi që do përdornit: “Që unë nuk e pashë Saimir Shehrin kur hyri në stadium.”

Po a ua lehtëson peshën e fajita ky shfajësim?

Një tjetër episod që ndezi gjakrat është momenti kur drejtori i stadiumit ku Partizani ishte mik, hodhi flakadanin mbi kokat e tifozëve miq.

Z.Halili a i di detyrat e tij drejtori i stadiumit?

Ju thoni në intervistën e sotme lidhur mbi këtë incident se “Atij (drejtorit) nuk i takon që të shkojë atje, por kur pa flakadanin drejt fushës u afrua për të ndihmuar punonjësit që i largonin prej aty.”

Si ta kuptojmë? Edhe i takon edhe si takon!!!!

Mos duhet ta ndani mendjen. I takon apo si takon?

Më pas vazhdoni, po citoj…

“Në atë moment, në gjaknxehtësi e sipër që për të është krejtësisht e pafalshme dhe ne do të marrim masat tona sepse nuk jemi kafshë, por njerëz. Veprimi i tij i ndaluar ishte që pasi i gjuajtën, ua hodhi tifozëve mbrapsht. Megjithatë, tifozi për mua ka gjithmonë të drejtë. Vetëm ai ka të drejtë, sipas meje, dhe është i shenjtë.”

Z. Halili çdo të thotë për ju “veprimi i tij i ndaluar, ishte pasi që ata i gjuajtën” ?!!

Kush e shikon videon e kupton më së miri që ishte një moment feste. Ku tifozeria e Partizanit po gëzonte golin e parë. Pra nuk shkuan tifozët e Partizanit dhe e morën drejtorin nga zyra e tij, por erdhi drejtori i stadiumit në sektorin ku ndodheshin tifozët e Partizanit. Dhe në një festë ka kore tifozësh, ka flakadanë, çdo gjë që është brenda fair playt të lejuar të një tifozerie.

Futbolli nuk është balet. Nëse drejtori i stadiumit e di akoma që stadiumi që ai administron është Teatri i Operas dhe Baletit, duhet ta merrni mënjanë dhe ti jepni leksione se si të bëjë më mirë punën e tij, dhe jo të sillet si një punonjës i rëndomtë fushe që mbledh topat e letrës dhe flakadanët.

Nëse ju keni vendosur drejtor një fanatiks, të cilët unë ata i mirëkuptoj, atëherë veshi të duhet shkulur ty të parit që e ke vendosur në atë pozicion.

Ecim më tej.

Drejtori teknik i Tiranës, u dokumentua me video duke dhunuar stafin e Partizanit.

Në intervistën tuaj ju thoni, po citoj “Është hera e parë që e shikoj dhe është e pafalshme për drejtorin Sportiv, siç është ai, që të bëjë të tilla veprime. Është hera e parë që unë jam kundër tij dhe jam kundër dhunës së shfaqur. Ai nuk duhet të shkonte e të përlyhej në këtë sherr apo batak ku deshën ta fusnin ku ai ra pjesë e të gjithës.”

Bëni shumë mirë që ndaheni nga dhuna e drejtorit teknik Devi Muka. Por a nuk ishte kështu edhe në vitin 2010, kur ky drejtor që dje ishte futbollist i shquar i juaji goditi me kokë dhe gjakosi lojtarin kundërshtar Elis Bakaj?

Pikërisht atë futbollist që sot luan në radhët tuaja dhe ju nderoi me golin e dytë të shënuar ndaj Partizanit.

Nëse nuk ju kujtohet ky episod, mund ta merrni mënjanë Elis Bakajn dhe ta pyesni.

Por unë mendoj që ju kujtohet shumë mirë.

Pasi ishit ju që e mbrojtët atë kohë dhunën e futbollistit Devi Muka ndaj Elis Bakaj (edhe kjo e dokumentuar me video). Gjë që e pranoni edhe vetë, kur thoni që është hera e parë që jam kundra. Dmth në rastet e tjera e keni mbështetur.

Ajo që më habit por që edhe s’duhet të më habisë shumë, pasi ky është realiteti ku jetojmë, është përgjigja juaj, pas pyetjes si ndiheni pas këtij derbi, po ju citoj “Jam shumë i qetë. I lumtur që skuadra tregoi karakter e ndershmëri siç i takon Tiranës, e për këtë i falenderoj lojtarët. Në të njëjtën kohë, jam shumë i shqetësuar dhe kundër dhunës, por nuk e kam unë në dorë. Gjithashtu, i gëzuar që kthyem asetin më të çmuar që ka klubi i Tiranës, tifozët.”

Jeni shumë i qetë?!!! Jeni shumë i shqetësuar?!!!

Këtë të besojmë, z. Halili të parë apo z. Halili të dytë?!!1

Si mund të jeni i qetë Z. Halili pas asaj që ndodhi?

Si mund të jesh edhe viktimë dhe dhunues?

A është ky kodi i mikëpritjes që ka një ekip elitar, 24 herë kampion i Shqipërisë?

Përse nuk flisni që dhuna nisi menjëherë pas golit të barazimit të Partizanit?

A ju shteruan nervat, pasi kuptuat që papritur ai gol vulosi dështimin e një sezoni për një ekip si Tirana, që për të dytin vit radhazi nuk arrin të përfshihet në Kupat e Europës?

A e dini që tifozët tuaj dogjën stadiumin e tyre (edhe këtë e keni me video)?

Atë investim që ju me të drejtë thoni se keni hequr lekët e familjes, vetëm për pasionin që keni për Tiranën?

A do thuash ndonjë fjalë për këtë akt vandal të tifozëve të tu?

A dhemb njësoj për ty një stol i shkulur nga Partizani apo kushdo ekip mik që ju bujt në shtëpi, me një stol të djegur nga tifozët e ekipit për të cilin ti investon?

A e di që të kam paguar 6 mijë lekë biletë dhe me le të zhgarravitesha në një kotec qe ti e quan stadium modern, përpos vështirësisë që më krijove për të hyrë në po këtë stadium që ti e cilëson të ri, por që ka të njëjtat halle si çdo impiant tjetër në Shqipëri?

A të shqetëson kjo gjë?

A do e thuash një gjysmë fjale për atë organizim të ç’organizuar që krijuat?

Dhe ti z. President na u shqetësoke se të shkau një flakadan në pistë?!!!

Dhe këtë e quan dhunë?!!!

Këto janë pyetjet që mua si sportdashës më shqetësojnë në intervistën tënde pas derbit. Një intervistë ku e thënë troç vetëm ndjesë nuk shikoj nga ana juaj.

Bindje që më krijohet edhe më shumë, ndërsa kanë kaluar 48 orë nga derbi dhe ju nuk keni ndërrmarrë asnjë masë për dhunuesit.

Si ta kuptoj këtë nga ana juaj?

Si ta kuptoj kur drejtori juaj për marrëdhëniet për shtyp, kapet në plane duke dhunuar një tjetër përfaqësues të Partizanit?

Edhe këtë e ofenduan?

Apo edhe ky reagoi sepse i shanë Presidentin? Sikundër ju mbrojtët në mënyrën më të pashembullt nipin tuaj grushtues?

Unë nuk besoj se ju si President keni nevojë për grushtues. Unë ju kam parë shpeshherë në rrugë ashtu siçdo tifoz I Partizanit, deri te ata më të flaktët, dhe besoj nuk ju është dashur një nip grushtues për të ecur i qetë në rrugët e Tiranës. As një drejtor sportive grushtues. As një drejtor zhgarravitës për tju mbrojtur. As një trajner që tju mbrojë.

Ndaj edhe duke hequr paralele me atë që ndodhi 6 vite më parë me Dinamon dhe atë që ndodhi së fundmi me Partizani, por edhe me situata të tjera të ngjashme, duke ndjekur edhe mënyrën se si ju reagoni, më bën tju them që ju jeni frymëzimi i këtyre akteve të pashembullta.

Ndaj hiqni dorë nga sjellje të tilla pasi futbolli dhe derbi luhen për tifozët dhe jo për të nxjerrë inate që fshehin pas dështimin e një sezoni.

Derbi nuk është lojë kalamajsh, “Më the, ta thashë, pse ma the”, por është lojë burrash dhe luhet dhe mbaron në fushë dhe ju kështu duhet ta ndjeni.

ma.me

Next Post

Komentet 1

  1. Petrit says:

    Per derisa kemi nje federate dhe nje president federate te tille keta jane gjera me se normale
    Ne nje kampionat normal ekipi i Tiranes duhet te denohej minimalisht me renie nga kategoria
    Nuk e di se si ka reaguar Erona meqenese bashkia eshte aksioneri me i madh i klubit
    Turp per FSHF-ne
    Turp per presidentin Duka & co
    Turp per Erionen

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Login to your account below

Fill the forms bellow to register

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.