Mbi 3200 aplikime për skemën e mbështetjes, kryeson kërkesa për matrikullimin

Rreth 3281 aplikime janë kryer deri tani, nga fermerët që duan të përfitojnë financim nga skemat e mbështetjes kombëtare për bujqësinë 2019.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, kërkesat më të larta janë për masën nr. 1. Për tufën bazë të matrikuluar, për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1000 lekë/krerë kanë aplikuar 1071 fermerë në të gjithë vendin.

Për masën nr. 2. për Dorëzimin e qumështit lëndë e parë, në vlerën 10 lekë/litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes kanë aplikuar 1051 fermerë.

Ndërsa për masa nr. 3 për mbështetje në bletari janë kryer 610 aplikime.

Masa nr. 5 për Mbjelljen e ullinjve në vlerën 350 000 lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe në vlerën 250 000 lekë/ha, për format tradicionale shënohen 344 aplikime dhe për masën nr. 6. Përmirësimi i teknikave të ujitjes, nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullinj, me financim deri 250 000 lekë/ha janë kryer 191 aplikime.

Hapja e granteve dhe e skemave të kompensimit nëpërmjet fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare për bujqësinë, janë një mundësi e shumëpritur, jo vetëm nga kompanitë që operojnë në sektorin e agrobiznesit, por edhe nga fermerët, të cilët i shohin ato si mjetin e duhur për të rritur kapacitetet e prodhimit, për të modernizuar teknologjinë, si dhe për të përmirësuar produktet dhe sigurinë ushqimore.

Aplikimet janë të hapura deri në datën 17 maj 2019 dhe më pas AZHBR do të vijojë me procesin e verifikimit dhe të shpalljes së fituesve.

/a.r

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU