Maqedonia nën hijen e krizës politike

Maqedonia, pas konfliktit të brendshëm të ndodhur në vitin 2001, mes shqiptarëve dhe maqedonasve të dy komuniteteve etnike më të mëdha në vend, është përballur sërish me skena që të risjellin në mend konfliktet etnike në vend.

Maqedonia, në të cilën ende vazhdon kriza politike, u përball edhe një herë me një krizë të re në fillim të vitit 2015 pasi Zoran Zaev, kryetari i Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM), i opozitës kryesore nën projektin e emëruar “E vërteta për Maqedoninë”, pretendoi për regjistrimin e bisedave telefonike të 20 mijë personave duke përfshirë edhe kryeministrin e asaj periudhe, Nikola Gruevski dhe anëtarë të tjerë të qeverisë.

Pasi Zaev publikoi për opinion publik përgjimet e paligjshme të telefonatave dhe pasi akuzoi për korrupsion, keqpërdorim të detyrës dhe për fshehje të krimeve personat që i përmendeshin emrat në këto regjistrime bëri që kriza në vend të thellohej edhe më tej.

Gjithashtu kriza në vend mori përmasa krejtësisht ndryshe pas konfliktit të armatosur në Kumanovë të ndodhur në muajin maj të vitit të kaluar, ku si rezultat i operacionit të ndërmarrë nga policia maqedonase me pretendimin e kryerjes së një operacioni kundër një grupi të armatosur i cili “ishte nën përgatitje për të sulmuar disa institucione shtetërore”, humbën jetën tetë policë dhe u plagosën afërsisht 40 të tjerë si dhe u vranë 10 anëtarë të grupit të armatosur.

Menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, ministrja e Brendshme, ai i Transporteve dhe Komunikacionit si dhe drejtori i Sigurisë dhe Shërbimeve Sekrete dhanë dorëheqjen.

Gjithashtu, po në muajin maj u mbajtën dy protesta të mëdha në Shkup, ku njëra nga ana e opozitës, që kërkonte dorëheqjen e qeverisë dhe tjetra nga mbështetësit e qeverisë. Në kuadër të këtyre protestave, mbështetësit opozitarë vazhduan për ditë me radhë protestën duke ngritur kamp para ndërtesës së qeverisë ku dhe në përgjigje të kësaj edhe mbështetësit e qeverisë ngritën kamp para ndërtesës së parlamentit.

– Për zgjidhjen e krizës caktohen zgjedhje të parakohshme –

Pas të gjitha këtyre zhvillimeve në Maqedoni, komisioneri i BE-së për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, në qershor të vitit të kaluar u takua me liderët politikë në vend ku më pas njoftoi se për tejkalimin e krizës ishte rënë dakord për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme deri në fund të muajit prill 2016.

Në këto bisedime të mbajtura me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtarë morën pjesë kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Menduh Thaçi.

Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, të nënshkruar pas bisedimeve të kryera më 1 qershor dhe 15 korrik, duhej që deri më 20 tetor opozita të kthehej në punimet parlamentare, mospublikimin e përgjimeve për opinionin publik, emërimin e prokurorëve specialë, formimin e qeverisë së përkohshme, revizionin e kabinetit dhe dorëheqjen e kryeministrit 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme që do të mbaheshin vitin e ardhshëm (këtë vit) në fund të prillit.

Ashtu siç parashikohej, edhe në marrëveshje kryeministri Nikola Gruevski dha dorëheqjen më 15 janar dhe në vend të tij u caktua po nga e njëjta parti, Emil Dimitriev dhe u formua qeveria e përkohshme.

Ndërsa në anën tjetër Prokuroria Speciale që u formua si nevojë e marrëveshjes aktivitetin e saj të parë e nisi më 12 shkurt me hetimin e emëruar “Titanik” ku në kuadër të kësaj me pretendimin për manipulim të zgjedhjeve nxori urdhër arrestet ndaj tetë personave duke përfshirë ish-ministren e Brendshme me ish-ministrin e Transporteve dhe të Komunikacionit.

– Shtyhen zgjedhjet e parakohshme –

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily me 21 shkurt 2016 u takua me kryetarët e partive politike në Maqedoni, ku në një konferencë të mbajtur pas bisedimeve të gjata duke vënë në dukje se kushtet e Marrëveshjes së Përzhinës nuk ishin realizuar plotësisht ai theksoi se ishte e vështirë që zgjedhjet e lira dhe demokratike të zhvilloheshin në këto kushte.

Pas kësaj deklarate parlamenti u mblodh më 24 shkurt ku me shumicë votash vendosi që zgjedhjet e parakohshme të planifikuara për tu mbajtur me 24 prill të shtyheshin më 5 qershor.

– Protestat pjesë e jetës së përditshme –

Protestat në Maqedoni u bënë pjesë e jetës së përditshme, ku në Shkup për muaj me rradhë pothuajse çdo ditë janë mbajtur protesta të ndryshme nga ato studentore e deri tek atë të punonjësve të gjyqësorit e të punonjësve të kurseve të automjeteve. Gjithashtu reagime në popull shkaktoi edhe vendimi më 15 mars i Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtën presidentit që të falte personat e përfshirë në parregullsitë zgjedhore dhe disa persona që kishin kryer krime të rënda.

Kjo situatë e trazuar në vend shkaktoi që partitë të bënin lëvizje “të çuditshme” ku së fundmi partia shqiptare BDI në fillim të prillit njoftoi tërheqjen nga qeveria dhe më pas duke hedhur hap prapa nga vendimi i saj emëroi emra të tjerë nga partia në vend të ministrave dhe të zëvendësministrave të dorëhequr.

Vetëm një javë pas këtyre dorëheqjeve këtë herë partia e LSDM-së njoftoi dorëheqjen e ministrave dhe të zëvendësministrave në qeverinë e përkohshme. Po në të njëjtën ditë sipas marrëveshjes së arritur më parë u shpërbë parlamenti.

– Vendimi i amnistisë së presidentit Ivanov-

Kriza në vend u rindez sërish pasi presidenti, Gjorge Ivanov duke përdorur të drejtën kushtetuese mori vendimin për ndalimin e procedurave ligjore të nisura kundrejt politikanëve në vend për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Ivanov në një deklaratë pasi u shpreh se “jam i vetëdijshëm për ndikimin e mundshëm që mund të krijohet si rezultat i këtij vendimi që kam marrë, por pavarësia dhe stabiliteti i vendit tonë është shumë i rëndësishëm”.

Në një kohë shumë të shkurtër pas deklaratës qytetarët e mbledhur në dy pika të ndryshme në Shkup mbajtën protesta me qëllim për të reaguar ndaj vendimit të Ivanovit, ku qytetarët marshuan fillimisht drejt ndërtesës së prokurorisë ku po kryheshin hetimet dhe më pas drejt zyrës presidenciale për publikun.

Ndërsa një ditë më pas dhuna e protestave u përshkallëzua pasi protestuesit të cilët u mblodhën para ndërtesës së Prokurorisë Speciale duke marshuar drejt zyrës presidenciale për publikun nxorën jashtë ndërtesës disa dokumente dhe disa sende dhe i dogjën. Pas këtij akti protestuesit u drejtuan drejt ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë ku dhe thyen xhamat.

– Edhe komuniteti ndërkombëtar reagues ndaj vendimit të Ivanovit –

Ndaj vendimit të presidentit Ivanov reaguan ashpër edhe deputetët e Parlamentit Evropian si Ivo Vajgel, Richard Howitt dhe Eduard Kukan. Parlamentarët europianë duke u shprehur se vendimi i presidentit Ivanov nënkupton “rrezik shtesë” për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit ata kërkuan respektimin e marrëveshjes së Përzhinës dhe zhvillimin e zgjedhjeve të sigurta.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë u shpreh se SHBA-ja ka shqetësime të thella për vendimin e marrë nga presidenti Ivanov i cili në rast se zbatohet do të mbrohen politikanët e përfshirë në krime dhe gjithashtu do të jetë pengesë për drejtësinë që meritojnë qytetarët e Maqedonisë. Në deklaratë gjithashtu u tha se “ky vendim do të trondisë mbizotërimin e ligjit në Maqedoni, integritetin e institucioneve gjyqësore, respektimin dhe besueshmërinë e liderëve ndaj vlerave themelore të NATO-s dhe BE-së. I bëjmë thirrje vendit mik Maqedonisë që të rishqyrtojë vendimin e presidentit Ivanov dhe të lejohet që Prokuroria Speciale të kryejë detyrën e sajë në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës”.

Gjithashtu dhe Komisioneri Johannes Hahn duke theksuar se vendimi i Ivanovit është i “pa pranueshëm” dhe “në kundërshtim me mbizotërimin e ligjit” ai bëri thirrje se të gjithë politikanët duhet të rikthehen në tryezën e bisedimeve dhe të organizojnë zgjedhje të drejta.

Në deklaratën e Ambasadës së Turqisë në Shkup teksa vihet në dukje se po ndiqen nga afër zhvillimet politike në vend tërhiqet vëmendja se tensionet dhe mosmarrëveshjet politike në vazhdim duhet të zgjidhen me rrugën e dialogut, me zgjedhje të drejta dhe transparente në kuadër të rregullave demokratike dhe mbizotërimit të ligjit.

Edhe në deklaratën e Ambasadës së Rusisë në Shkup shprehen shqetësimet për ripërshkallëzimin e tensioneve politike në vend dhe bëhet thirrje për distancim ndaj provokimeve që mund të jenë shkaktare për trazira të reja ndaj krizës.

– E ardhmja e pasigurtë –

Kriza politike që vazhdon duke u rritur që nga fillimi i vitit 2015 e tërheq Maqedoninë në një të ardhme të pasigurtë. Maqedoninë në të ardhmen e afërt e presin ditë të vështira teksa vazhdojnë protestat, mungesa e parlamentit, drejtimi i vendit me qeveri të përkohshme dhe pasiguria nëse do të zhvillohen apo jo zgjedhjet e parakohshme.

Gjithashtu krahas çështjeve të brendshme vendi do të kalojë ditë vështira edhe nga pikëpamja e krizës së refugjatëve të cilën ajo ndikohet drejtpërsëdrejti.

Çështje kjo e cila ka shkaktuar reagime të komunitetit ndërkombëtar ndaj Maqedonisë për tensionet të cilat përjetohen pothuajse çdo ditë mes policisë maqedonase që mbron kufirin dhe refugjatëve të cilët ndodhen në Idomeni të Greqisë në kufirin me Maqedoninë.

Duke marrë parasysh të gjitha këto zhvillime vendin ku kriza politike vazhdon duke u rritur e pret një e ardhme e vështirë dhe e pasigurt. (Marrë me shkurtime nga Besar Ademi – Anadolu Agency)./

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU