Mbi 9600 pushues kanë marrë shërbim në qendrat shëndetësore verore nga veriu në jug të vendit, që me hapjen e tyre për sezonin turistik. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi qendrën shëndetësore verore në Shëngjin, të hapur posaçërisht për sezonin veror në një prej zonave më të frekuentuara gjate stinës së verës.
“Me një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik kemi vënë në dispozicion të pushuesve 28 qendra shëndetësore verore 24 orëshe si dhe 18 postacione autoambulancash, për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm. Mbi 9600 qytetarë kanë marrë shërbimin e duhur mjekësor pranë qendrave verore që nga 1 Qershori ”, tha Manastirliu gjatë inspektimit të qendrës verore në Shëngjin.
Veç Shëngjinit plazh, një qendër shëndetësore verore është hapur edhe në plazhin e Tales në Lezhë, ku shërbimi me mjekë dhe infermierë është dyfishuar për shkak të fluksit të pushuesve.
I gjithë seti i barnave të urgjencës është në çdo qendër shëndetësore verore, për të garantuar shërbim në kohë dhe me cilësi për pushuesit.
Ministrja e Shëndetësisë u ndal dhe te procesi i dezinsektimit, i cili po vijon edhe në veri të vendit, pas përfundimit të fazës së parë në zonat më problematike në Divjakë, Darëzesë, Seman, etj.
“Procesi i dezinsektimit po vijon normalisht për të ofruar më shumë siguri për qytetarët gjatë sezonit turistik dhe do të vijojë deri në fund të muajit Tetor”, tha Manastirliu.
g.kosovari