Majlinda: Kam punuar gjatë për këtë moment

Majlinda Kelmendi është shprehur shumë e lumtur për suksesin e arritur në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

Pas triumfit, ku ajo fitoi medaljen e artë të parën për Kosovën, xhudistja kosovare ka deklaruar ekskluzivisht për KOHA-n se nuk ka fjalë që mund të përshkruajë ndjenjat e suksesit.

Ajo thotë se ka punuar shumë gjatë për këtë moment, por në “Rio 2016” kishte udhëtuar për medaljen e artë.

“Jam shumë e lumtur. S’kam fjalë që mundem me e përshkrua. Më duhet pak kohë me e pa se çka ka ndodhë në të vërtetë. Kam ardhur për medaljen e artë. Po ndihem e bekuar dhe po ndihem mirë që po mundem me bo diçka për shtetin tim dhe për të rinjtë e Kosovës. Më gëzon fakti që mundem me i tregu popullit dhe të rinjve që munden me u bo kampionë olimpikë vetëm me punë”, ka thënë ajo.

Majlinda ka falënderuar trajnerin e saj Driton Kuka për të cilin thotë se përjetësisht do të jetë mirënjohëse

“Trajneri më ka bërë njeri që jam sot. Mos të kisha Tonin si trajner nuk do të kisha këto rezultate. Medaljet të gjitha që i fitoj ia dedikoj atij dhe jam mirënjohëse deri sa të vdes”, ka shtuar Majlinda.

“Për Kosovën si shtet është e rëndësishme pasi ka pritur shumë vjet dhe jam shumë e lumtur që e kam ngritur flamurin. Jam shumë e lumtur që të gjithë fëmijët më shohin si heroinë. Jam e lumtur që një ëndërr u bë realitet“, ka thënë ajo, citohet Koha. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU