“Kush njollos LANÇ, do kthehet në ushqim për zhabat”, Çfarë thoshte Agolli në vitin 1993

Teksa ditët e fundit debati publik për Luftën Nacional Çlirimtare është intensifikuar ndjeshëm, vlen të kujtohen këshillat e mençura të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.

Në një intervistë të radhë të vitit 1993, Agolli e konsideron këtë ngjarje historike si të “shenjtë mbi të shenjtat” ku kritikon individët që tentojnë të zbehin rëndësinë e saj.

Më poshtë, “TemA” po përcjell një fragment nga intervista arkiv dhënë gazetës “Për mëmëdhenë”.

“Për mua Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e shenjtë mbi të shenjtat .

Është ndër luftërat më të mëdha dhe me ideale humane më të larta nga të gjitha luftërat.

Çdo popull do të krenohej me të, pasi është harku me qemer i urës më të madhe dhe më të qëndrueshme të historisë së Shqipërisë, që lidhin dy brigje: bregun e traditës së shkuar dhe bregun e kohëve moderne.

Pa këtë urë, demokracia e sotme do ta kishte të vështirë.

Ai që mundohet ta rrëzojë këtë hark madhështor me qemer, rrëzon gjithë urën, bie në lumë bashkë me mbeturinat e urës, mbytet dhe bëhet ushqim i mirë për zhabat dhe qeniet e tjera të lumit”, ka nënvizuar Agolli i cili ka qenë edhe dëshmitar i kësaj ngjarje historike ku që në fëmijëri ka mbajtur detyrën si korrier i çetave partizane, -shkruan “TemA”.

Më poshtë, gjeni faksimilen e intervistës së dhënë gazetës “Për mëmëdhenë”, qershor 1993.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU