Kryetarja e Dhomës së Parlamentit Italian, Laura Boldrini, e cila ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare ka folur para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e saj, Boldrini ka treguar emocionet kur ajo ka punuar në Shqipëri në fund të viteve ’90.
Ajo vlerësoi mikpritjen e Shqipërisë, veçanërisht të popullit të Bajram Currit, ku edhe pse ishte një zonë e varfër, përsëri kanë pritur refugjatët si vëllezër.
“Më lejoni të lexoj një shkëputje të vogël të një artikulli që kam botuar në fund të muajit mars 1998: “Kamionët e UNHCR-së lënë refugjatët para bashkisë së Bajram Currit, apo të qyteteve të tjera.
Në këtë moment ndodh diçka e veçantë, e jashtëzakonshme për një vëzhgues të huaj. Brenda një ore nga momenti i mbërritjes, të gjithë refugjatët merren nga familjet të cilat janë të gatshme ti strehojnë. Pikërisht në këtë zonë të thellë të Shqipërisë hasim një shembull të jashtëzakonshëm dhe prekës të solidaritetit.
Pavarësisht vështirësive materiale që hasen në këtë qark, i konsideruar si më të varfërit në Europë, shqiptarët nuk hezitonin të hapnin dyert e shtëpive për ata që i quajnë vëllezër dhe jo refugjatë”, u shpreh ajo./express/a.k